Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po përqendron përpjekjet te nxjerrja e Erion Veliajt nga burgu, ndërsa nevojat e qytetarëve të Tiranës mbeten të shpërfillura.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se sistemi Rama ka kohë që po lëviz çdo gur për lirimin e Veliajt. Sipas saj, këto përpjekje dëshmojnë zgjedhjen e qeverisë për t’i shërbyer korrupsionit përballë interesit të qytetarëve.
Deputetja demokrate e përshkroi Tiranën si një qytet të shkretuar, të kthyer në një fjetore të madhe dhe të pajetueshme. Ajo e lidhi këtë gjendje me një qeverisje që, sipas saj, ka vendosur korrupsionin përpara nevojave të shqiptarëve dhe të banorëve të kryeqytetit.
Tabaku kritikoi përpjekjet për t’i dhënë zë korrupsionit përmes mbrojtjes së Veliajt, ndërkohë që problemet e Tiranës mbeten pa përgjigje. Sipas saj, prioriteti i pushtetit është shpëtimi i njerëzve të sistemit, ndërsa qytetarët përballen me pasojat e keqqeverisjes.
Tirana ka një 1 mijë halle dhe probleme, është e mbytur nga plehrat, nga ndërtimet, por ky nuk është halli i qeverisë, halli i qeverisë është si të nxjerrë Erion Veliajn nga burgu. Veliaj ka marrë peng sot Bashkinë e Tiranës dhe po e përdor atë për të dalë nga burgu. Tirana ka nevojë për një kryetar të pakorruptuar, një kryetar që punon për njerëzit, që punon për të zgjidhur hallet e tyre, jo për hallet dhe shqetësimet e pushtetit.



