Takimi i kryeministrit Edi Rama në Berat për çështjen e hartës së re territoriale është shoqëruar me tensione mes tij dhe banorëve të Poliçanit, bashki e cila shkrihet sipas propozimit të socialistëve.
Mësohet se përfaqësuesit e Bashkisë së Poliçanit janë ngritur për të diskutuar, por kryeministri Rama u është drejtuar me fjalët “qepeni gojën”.
Situata është tensionuar dhe ka pasur replika mes kryeministrit Rama nga njëra anë dhe kryetarit të Bashkisë së Poliçanit, socialistit Adriatik Zotkaj e banorëve të kësaj bashkie nga ana tjetër.
Debati është përshkallëzuar edhe me aktoren Egla Ceno. Aktorja ka treguar se kërkesa e saj ka qenë vetëm që kryeministri ta dëgjonte, ndërkohë që ky i fundit i kishte kërkuar të dilte jashtë sallës.
Sipas saj, përfaqësuesit e Poliçanit kishin marrë pjesë në takim me qëllimin për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me ndarjen territoriale dhe për të paraqitur qëndrimin e komunitetit.
Pas fjalës së disa qytetarëve, diskutimi u ndërpre nga kryeministri, i cili vijoi me fjalimin e tij, ndërsa kërkesat për replikë nga të pranishmit nuk u morën parasysh.
Në një moment, Ceno i ka kërkuar Ramës nëse qytetarët do të kishin mundësi të flisnin dhe të dëgjoheshin.
Kërkesa e saj, sipas rrëfimit të aktores, është shoqëruar me tension dhe me urdhrin që ajo të largohej nga salla.
Si rezultat, të gjithë përfaqësuesit e Bashkisë së Poliçanit kanë vendosur të largohen nga takimi.
Bashkia e Poliçanit është një prej 15 bashkive që sipas propozimit të socialistëve do të shkrihet.
Banorët e kësaj bashkie janë ngritur në protesta prej momentit që harta e re është bërë publike, duke djegur edhe kartat e anëtarësisë në Partinë Socialiste.
Ndërkohë, të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak nga të gjitha forcat politike kanë paralajmëruar se do të dorëzojnë mandatet nëse shkrirja e Poliçanit miratohet në Parlament.



