
Klodiana Spahiu është betuar para Presidentit të Republikës Bajram Begaj si ministre e Shëndetësisë duke marrë kshtu zyrtarisht detyrën.
Pas këtij betimi, Spahiu do të marrë pjesë si ministre për herë të parë në mbledhjen e qeverisë gjatë ditës së sotme.
Spahiu zëvendësoi në këtë post, Evis Salën, e cila dha dorëheqjen me argumentin se kishte projekte akademike për të ndjekur.
Spahiu është mjeke kardiologe dhe ka një karrierë të gjatë profesionale, akademike dhe politike. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në degën “Mjekësi e Përgjithshme”, në vitin 1997. Një vit më pas nisi specializimin në kardiologji pranë QSUT-së “Nënë Tereza”, të cilin e përfundoi në vitin 2002.
Gjatë karrierës së saj, ajo është specializuar edhe në disa prej fushave më të rëndësishme të kardiologjisë. Në Itali ka kryer trajnime në kardiologjinë joinvazive, përfshirë ekokardiografinë, PU-EKG-në dhe eko-dopplerin e karotideve, pranë Universitetit Katolik “Sacro Cuore”, Fakulteti i Mjekësisë dhe Kirurgjisë “Agostino Gemelli”, në Romë.
Formimi i saj profesional është zgjeruar më tej me studimet pasuniversitare në Fakultetin e Mjekësisë, në Departamentin e Lëndëve Paraklinike, ndërsa në vitin 2005 ka kryer specializim në kardiologjinë invazive, kateterizimin dhe koronarografinë e zemrës pranë spitalit “Santa Chiara” në Pisa.
Formimi i saj akademik kulmon me titullin “Doktore e Shkencave Mjekësore”.
Për një vit rresht edhe postin e nënkryetares së Kuvendit.



