
Ka nisur sot Fushata Kombëtare e Regjistrimit të Artizanëve, një nismë që synon identifikimin, vlerësimin dhe promovimin e mjeshtërive tradicionale dhe bartësve të tyre në të gjithë vendin.
Sipas ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, fushata i jep një dimension të ri njohjes dhe evidentimit të artizanëve, duke krijuar mundësi për promovimin e punës së tyre dhe të trashëgimisë artizanale shqiptare.
“Njohja dhe evidentimi i artizanëve merr një dimension të ri përmes Fushatës Kombëtare të Regjistrimit të Artizanëve, një nismë që synon të identifikojë, vlerësojë dhe promovojë mjeshtëritë tradicionale dhe bartësit e tyre në të gjithë vendin. Artizanët mund të aplikojnë online, ose pranë Drejtorive Rajonale të Trashëgimisë Kulturore që mbulojnë zonën e tyre, duke u bërë pjesë e kësaj nisme kombëtare”,
Ministri solli në vëmendje edhe rastin e artizanes Hate Ora në Kukës, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e saj në ruajtjen dhe përcjelljen e mjeshtërive dhe vlerave të trashëguara të zonës.
Fushata kombëtare synon krijimin e një pasqyre më të plotë të komunitetit të artizanëve në Shqipëri dhe forcimin e promovimit të trashëgimisë kulturore dhe traditave artizanale.




