Shkolla “Met Hasa” mbetet e papërfunduar, nxënësit e Porto Romanos detyrohen të udhëtojnë 3.5 kilometra për mësim (VIDEO)

Shkolla “Met Hasa” mbetet e papërfunduar, nxënësit e Porto Romanos detyrohen të udhëtojnë 3.5 kilometra për mësim (VIDEO)

Në lagjen Porto Romano të Durrësit, një shkollë e nisur për t’i dhënë fund një problemi të hershëm të banorëve vijon të mbetet një kantier i papërfunduar. Bëhet fjalë për shkollën 9-vjeçare “Met Hasa”, punimet për të cilën nisën rreth 17 muaj më parë, pasi godina e vjetër u prish në vitin 2024 me premtimin se në vend të saj do të ndërtohej një shkollë e re dhe moderne për fëmijët e zonës. Por sot, godina e re është ende larg përfundimit. Objekti ka mbetur në fazën e karabinasë, dera është e mbyllur dhe kantieri është i rrethuar. Në vend që të dëgjohen zërat e fëmijëve në oborrin e shkollës, aty mbizotëron heshtja. 

Edhe tabela ku janë shënuar datat e fillimit dhe përfundimit të punimeve qëndron ende në vend, si një kujtesë e një afati që ka kaluar, por që nuk është përmbushur. Banorët e Porto Romanos thonë se prej muajsh presin një shpjegim, por askush nuk u ka dhënë një përgjigje të qartë se përse punimet janë ndalur. Për ta, problemi është bërë edhe më i madh, pasi fëmijët janë të detyruar të ndjekin mësimin në një tjetër shkollë, disa kilometra larg banesave të tyre. “Shkolla e vjetër u prish në vitin 2024 dhe do të bëhej e reja, por nuk u bë. Fëmijët tanë shkojnë në shkollë me dy turne”, shprehen banorët, ndërsa tregojnë se çdo ditë duhet t’i shoqërojnë fëmijët për shkak të distancës dhe shqetësimeve për sigurinë e tyre. “Ka më shumë prindër se fëmijë që kujdesen që fëmijët të shkojnë në shkollë. I shoqërojmë gjatë gjithë kohës nga frika se mos u ndodh gjë”, thonë ata. Të revoltuar, banorët shprehen se nuk kanë marrë asnjëherë një informacion të plotë mbi ecurinë e projektit. “Nuk na sqaruan asnjëherë dhe nuk kemi dijeni pse kanë ndaluar. Askush nuk na sqaron. Kemi shkuar edhe në Bashki, por askush nuk na e hap derën. 

Fëmijët janë shqetësimi ynë më i madh”, shprehen ata. Madje, disa prej prindërve thonë se kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë nëse punimet për godinën e re nuk do të rifillonin. “Kemi marrë vendim që në shtator nuk i çojmë fëmijët në shkollë nëse nuk fillojnë punimet për shkollën e re”, thonë banorët. Pas interesimit të Xhadave, Bashkia e Durrësit dha një shpjegim zyrtar për situatën. Sipas institucionit, gjatë zbatimit të projektit konstruktiv janë evidentuar problematika që kanë bërë të pamundur vijimin normal të punimeve. Në përgjigjen e saj, Bashkia sqaron se, bazuar në dokumentacionin administrativ dhe teknik të objektit “Ndërtim Shkolla 9-vjeçare Met Hasa”, si dhe në kërkesat e sipërmarrësit dhe mbikëqyrësit të punimeve, është konstatuar pamundësia e vijimit të punimeve për shkak të problematikave të hasura gjatë zbatimit të projektit konstruktiv.

Për këtë arsye, është kërkuar pezullimi i punimeve, rishikimi i projektit konstruktiv dhe hartimi i një grafiku të ri punimesh. Bashkia deklaroi se, pas shqyrtimit të projektit të rishikuar dhe përfundimit të Oponencës Teknike nga Instituti i Ndërtimit, Autoriteti Kontraktor kishte njoftuar rifillimin e punimeve më 1 qershor 2026. Në kushtet e krijuara nga pezullimi i punimeve, ndryshimet në projektin konstruktiv dhe koha e nevojshme për realizimin e grafikut të ri, ishte miratuar edhe zgjatja e afatit të kontratës me katër muaj. Por rikthimi në terren tregon se premtimi për përfundimin e shkollës dhe hapjen e saj në shtator nuk është mbajtur. Në kantier nuk ka punëtorë dhe godina vijon të jetë e papërfunduar. Banorët tregojnë se në terren janë sjellë vetëm disa materiale ndërtimi dhe se është ngritur vetëm një pjesë muri. “Erdhën dhe sollën dy paleta tulla. 

Bënë një faqe muri dhe asgjë tjetër. Nuk kemi parë njeri tjetër dhe as nuk na ka lajmëruar njeri që punimet do të shtyhen dhe fëmijët nuk do të mund të futen në shkollë në shtator këtu”, shprehen banorët. Përballë kësaj situate, nxënësit e Porto Romanos e nisën vitin e ri shkollor më 14 shtator jo në shkollën e tyre, por në shkollën e Spitallës, rreth 3.5 kilometra larg. Në ditën e parë të shkollës, godina “Met Hasa” mbeti pa nxënës, ndërsa fëmijët u nisën drejt një tjetër shkolle me autobusë, në këmbë ose me makinat e prindërve.“Ne jemi edhe në punë, por detyrohemi të sjellim fëmijët”, thonë prindërit, të cilët tashmë duhet të organizojnë çdo ditë transportin e fëmijëve për në shkollë. 

Ndërkohë, Bashkia, e pyetur për herë të dytë se përse premtimi për përfundimin e shkollës në shtator nuk u realizua, deklaroi se gjatë zbatimit të projektit konstruktiv janë evidentuar problematika në strukturën ekzistuese të objektit, të cilat kanë kërkuar verifikime teknike, rishikim të zgjidhjeve projektuese dhe përshtatje të procesit të zbatimit, duke sjellë vonesa në ecurinë e punimeve. Sipas Bashkisë, vijimi i punimeve ka qenë objektivisht i pamundur dhe është rënë dakord për shtyrjen e afatit të përfundimit të tyre me 25 javë, sipas grafikut të rishikuar. Por për banorët, ky është thjesht një tjetër afat që shtyhet, ndërsa fëmijët vazhdojnë të udhëtojnë çdo ditë për të shkuar në shkollë. “Se çfarë do bëjmë, s’e dimë. 

A do dalim në protestë me fëmijët apo do t’i themi kryetares ‘dil nga zyra se s’je për ne’, nuk e dimë”, shprehen të revoltuar banorët. Në Porto Romano, ku banorët thonë se zona është kthyer në një “shkretëtirë”, pyetjet mbeten të shumta. Ata kërkojnë të dinë se kur do të përfundojë shkolla, kur do të kthehen fëmijët në territorin e tyre dhe pse afatet e premtuara nuk janë respektuar. Për momentin, shkolla “Met Hasa” mbetet me dyer të mbyllura dhe pa nxënës, ndërsa fëmijët e Porto Romanos vazhdojnë rrugën 3.5 kilometra larg shtëpive të tyre për të ndjekur mësimin.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy