Pas shqetësimit të ngritur së fundmi mbi sigurinë e një produkti sallami në rrjetin e supermarketeve ‘Conad’, ka reaguar zyrtarisht menaxherja e marketingut e kompanisë, Dena Mullai, e cila ka sqaruar me detaje dinamikën e ngjarjes duke siguruar konsumatorët se asnjë sasi e këtij loti nuk ka përfunduar në tryezat e tyre.
Në një prononcim të dhënë për MCN TV, Mullai u shpreh prerazi se siguria e qytetarëve mbetet prioriteti kryesor i kompanisë dhe se reagimi pas sinjalizimit nga partnerët italianë ka qenë i menjëhershëm.
Dua të theksoj me përgjegjësi të plotë se produkti në fjalë nuk është vendosur në shitje në asnjë prej pikave tona dhe nuk ka mbërritur në asnjë moment te konsumatori, pasi ne kemi marrë njoftimin zyrtar nga Italia që më datë 31 gusht dhe që prej atij momenti produkti është izoluar plotësisht, përpara se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) të vinte në zyrat tona më 8 shtator për të bërë verifikimet e veta dhe për të dalë në përfundimin zyrtar se ky mall nuk është shitur apo shpërndarë asnjëherë në rrjetin tonë.
Sipas përfaqësueses së 'Conad Albania', mënyra se si u pasqyrua lajmi shkaktoi një panik të pajustifikueshëm te qytetarët, gjë që sipas saj mund të shmangej nëse institucionet do të tregonin më shumë kujdes me komunikimin publik.
Besoj se kjo situatë mori përmasa alarmante për faktin se AKU nuk ka raportuar në kohë për këtë proces, prandaj e ritheksojmë se ky produkt nuk ka dalë fare në treg, pasi për ne e rëndësishme është siguria e konsumatorit. Ne jemi në bashkëpunim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse sepse siguria ushqimore është parësore, por natyrisht që konsumatorët kanë pasur frikë e panik nga mënyra se si iu pasqyrua lajmi, prandaj kërkojmë që AKU, në momentin që bën konstatimet dhe verifikimet, të përcjellë lajmin e saktë dhe të plotë për të mos krijuar keqkuptime.
Mullai shpjegoi gjithashtu edhe procedurën standarde që ndiqet në të tilla raste të alarmeve ndërkombëtare ushqimore, duke nënvizuar se izolimi i shpejtë është çelësi i sigurisë.
Ne kemi marrë njoftimin nga Italia më 31 gusht dhe që në atë moment është bërë izolimi si atje, ashtu edhe te ne, ndërsa në vazhdim nuk kemi pasur më komunikime pasi kjo është një çështje që i takon AKU-së dhe strukturave që merren me sigurinë ushqimore, sepse në momentin që dalin të tilla njoftime ne thjesht njoftohemi që ta izolojmë produktin që të mos shkojë te konsumatori dhe nuk është se informohemi specifikisht se cili është problemi fiks në atë sekondë; me këtë produkt nuk kemi pasur asnjëherë më parë probleme, ndërsa sa u përket artikujve të tjerë, herë pas here supermarketet kanë njoftime të tilla nga sistemet e alertit, ku me rëndësi është që kur konstatohet problemi, malli të bllokohet menjëherë, gjë që Conad Albania e bën me rigorozitet të plotë.



