
"Xhadat" ka zbuluar disa skema mashtrimi te produkteve mjekësore që shiten nga dyqane dhe kompani të ndryshme online. Njëra prej kompanive, me të cilën gazetarët folën, shiste suplemente, që mund të përdoreshin për çdo problem shëndetësor duke nisur nga virozat e deri tek depresioni.
Mes morisë së produkteve që tregtohen online, janë edhe ato për dobësim. "Xhadat" foli me 3 dyqane që shesin çajra për dobësim, që prodhoheshin vetë prej tyre ose që eksportoheshin nga Turqia. Sipas tyre, çajrat për dobësim nuk kanë efekte anësore, përveçse të japin diarre.
Ndërkohë "Xhadat" konstatoi se në faqet online qarkullojnë edhe artikuj, që reklamojnë produkte mjekësore. Në këta artikuj përmendeshin emra mjekësh shqiptarë, të cilët thuhej se kishin krijuar ilaçe për kurimin e diabetit, sëmundjeve të zemrës apo të syve. Po ashtu në rrjetin social "Facebook", nga faqe të ndryshme ishin bërë postime, ku ishte keqpërdorur imazhi i kardiologut Edvin Prifti dhe i ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për të reklamuar produkte mjekësore.
"Xhadat" u interesua pranë Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë për të mësuar nëse mjekët që përmendeshin në artikujt online ishin të licensuar. Presidenti i U.M.SH, Dr. Fatmir Brahimaj tha se asnjë prej mjekëve që përmendeshin në këto reklama, nuk ishte i licensuar dhe se artikujt që qarkullojnë online janë mashtrime, që dëmtojnë dretpërdrejtë pacientët. Brahimaj shtoi se mjekëve nuk u lejohet që të reklamojnë produkte mjekësore dhe se ata kanë si detyrë që vetëm të informojnë njerëzit.
Po ashtu "Xhadat" shkoi edhe pranë Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore për të pyetur se sa të sigurt janë këto produkte. Mirëpo ky institucion nuk pranoi të prononcohej, duke thënë se duhej të bënim një kërkesë për të marrë përgjigje.



