Shkëlzen Berisha, djali i ish-Kryeministrit Sali Berisha, është paraqitur paraditen e sotme në SPAK.
Berisha shihet me një dosje në duar, duke hyrë në Prokurorinë e Posaçme, por pa praninë e ndonjë avokati.
Deri më tani nuk dihet arsyeja se pse Shkëlzen Berisha është thirrur në Prokurorinë e Posaçme.
Burime për MCN bëjnë të ditur se është thirrur për të dhënë dëshmi lidhur me rrethanat që mund të ketë dijeni për një çështje në hetim, siç është çështja “Gërdeci” e cila është rihapur me të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Gazetari Arsen Rusta raporton se në një prej shkresave të ministrisë së Drejtësisë kishte një shënim në një shkresë, nga ish-ministri Aldo Bumçi, “për Shkëlzenin”.
Bumçi do të shprehej se shkresa ishte e falsifikuar dhe do të duhej të ishte hetuar prej kohësh.
Ndërkohë ka dhe një hetim SPAK ende të pambyllur për aferën e klubit “Partizani”, por nuk dihet nëse do të pyetet lidhur me këtë çështje.



