Rrjeti i pavarur televiziv Iran International ka mbyllur studiot e tij në Londër për të mbrojtur gazetarët e tij, duke njoftuar se transmetimet do të vazhdojnë nga zyrat në Uashington.
Televizioni me raportimet e tij, është përpjekur të hedhë dritë mbi represionet e dhunshme që regjimi po kryen kundër protestave të shkaktuara në mes të shtatorit nga vdekja e 22-vjeçares kurdo-iraniane Mahsa Amini, e cila humbi jetën në paraburgim, për mos mbajtjen e duhur të shamisë, në një vend ku media dhe gazetarët e pavarur janë të persekutuar vazhdimisht.
Në një postim në Twitter Drejtori i Përgjithshëm, Mahmood Enayat, shkroi:
Nuk mund ta besoj se ka arritur deri këtu, kërcënimet iraniane që arrijnë në rrjetin televiziv shkojnë deri te publiku.
Vendimi u mor të premten pas arrestimit fundjavën e kaluar, të një austro-iraniani në afërsi të studiove televizive, i akuzuar se ka mbledhur informacione që mund të jenë të dobishme për një person që kryen ose përgatit një akt terrorizmi.
Policia britanike shtoi se, pavarësisht arrestimit, ata vazhdojnë të jenë “seriozisht të shqetësuar për sigurinë e njerëzve që punojnë në kompani”.
Tetorin e kaluar, qeveria iraniane njoftoi sanksione kundër Iran International dhe BBC News Persian, duke i akuzuar për “nxitje të trazirave” dhe “mbështetje të terrorizmit” për mbulimin e protestave antiqeveritare.
Në nëntor, ministri i inteligjencës iranian, Esmail Khatib, tha se Iran International ishte përshkruar nga Teherani si një organizatë “terroriste” dhe se çdo bashkëpunim me televizionin do të konsiderohej një kërcënim për sigurinë kombëtare që “agjentët” e tij do ta ndiqnin penalisht.



