
Gjykata e Lartë shqyrton sot masën "arrest në burg" për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Seanca është në orën 09:30, në Dhomë Këshillimi, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e ktheu çështjen për rishqyrtim.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK për korrupsion dhe pastrim parash dhe qëndron në paraburgim. Apeli i GJKKO-së në shkurt dhe Gjykata e Lartë në maj lanë në fuqi masën.
Në maj, Kushtetuesja pranoi pjesërisht kërkesën e Veliajt, duke vlerësuar se Gjykata e Lartë nuk kishte arsyetuar proporcionalitetin e masës, sidomos në raport me statusin e tij si i zgjedhur.
Tani, Gjykata e Lartë duhet të vendosë nëse arresti mbetet i nevojshëm dhe proporcional apo mund të zëvendësohet me masë më të butë.
Vendimi vjen edhe pas standardit të ri të Kolegjeve të Bashkuara, që e konsideron burgun masë përjashtimore.
Paralelisht, çështja ka kaluar në gjykim themeli, ku SPAK ka ngritur 13 akuza ndaj Veliajt.
Vendimi i sotëm nuk përcakton fajësinë, vetëm masën e sigurisë.



