Alarmi për sallamin “Galbanetto”/ AKU njoftohet nga Italia, CONAD thotë se e kishte bllokuar më herët, Xhadat investigojnë neglizhencës e autoriteteve!

Alarmi për sallamin “Galbanetto”/ AKU njoftohet nga Italia, CONAD thotë se e kishte bllokuar më herët, Xhadat investigojnë neglizhencës e autoriteteve!

Një alarm për sigurinë ushqimore ka vënë në qendër të vëmendjes Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe kompaninë CONAD Albania.

 

Më 8 shtator, AKU njoftoi konsumatorët për një lot të sallamit italian “Galbanetto”, pas një sinjalizimi të ardhur përmes sistemit europian RASFF, lidhur me praninë e një trupi të huaj në produkt. Rasti, i raportuar nga autoritetet italiane, është klasifikuar me nivel “serioz” risku për shëndetin.

 

Bëhet fjalë për produktin “SALAME GALBANETTO G230 c.a”, me lot L.264173 dhe datë skadence 23 tetor 2026. 

 

Sipas të dhënave të alarmit, importues në Shqipëri është Conad Albania, ndërsa AKU u ka bërë thirrje konsumatorëve që, nëse e kanë këtë produkt, të mos e konsumojnë dhe ta kthejnë pranë pikës së shitjes.

 

Por pas njoftimit të AKU-së, CONAD Albania dha një tjetër version të ngjarjes.

 

Kompania deklaroi se ishte njoftuar për problemin që më 31 gusht, pra disa ditë përpara publikimit të alarmit nga AKU. 

 

Sipas CONAD Albania, e gjithë sasia e prekur, rreth 3.74 kilogramë ose 16 copë, ishte identifikuar dhe izoluar përpara se të dilte në pikat e shitjes. 

 

Kompania pretendon se produkti nuk ishte shpërndarë dhe nuk kishte përfunduar te konsumatorët.

 

Nëse operatori ekonomik thotë se ishte vënë në dijeni që më 31 gusht dhe se produkti ishte izoluar, çfarë verifikimi kreu AKU kur njoftimi erdhi nga Italia? A kishte dijeni institucioni për situatën përpara njoftimit publik të 8 shtatorit? Dhe mbi të gjitha, si u ndoq nga autoritetet shqiptare një alarm i ardhur përmes sistemit europian RASFF?

 

Për këtë arsye, Xhadat iu drejtuan drejtpërdrejt Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për një përgjigje.

 

Gazetari Ersid Karaj shkoi në ambientet e AKU-së për të kërkuar një përfaqësues të institucionit dhe për t’i kërkuar sqarime mbi rastin.

 

Por përgjigjja e parë ishte që kërkesa të dërgohej me shkrim në adresën elektronike të institucionit.

 

Gazetari kërkoi të komunikonte me një përfaqësues për çështjen, ndërsa punonjësja e shërbimit njoftoi specialisten për median. 

 

Kjo e fundit nuk dha një përgjigje për rastin, por kërkoi që pyetjet të dërgoheshin me email.

 

Situata u tensionua më tej kur gazetari nuk u largua nga ambientet e institucionit dhe kërkoi të merrte një përgjigje. Sipas pamjeve të Xhadat, punonjësja e shërbimit të sigurisë “Ilirian Guard” kërkoi përforcime nga stafi dhe në ambientet e institucionit mbërritën edhe dy punonjës të tjerë.

 

Gazetarit iu kërkua të dilte jashtë, me premtimin se do të dilte dikush nga institucioni për të komunikuar me të.

 

Ersidi doli jashtë dhe priti rreth një orë.

 

Por edhe pas kësaj pritjeje, përgjigjja nga AKU nuk erdhi.

 

Sipas pamjeve të emisionit, gjatë kësaj kohe disa punonjës të AKU-së që ndodheshin jashtë institucionit nuk u lejuan të hynin menjëherë brenda, ndërsa gazetari vijonte të priste për një përfaqësues të institucionit.

 

Në fund, Xhadat u largua pa marrë një përgjigje konkrete nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për pyetjen kryesore: Nëse CONAD Albania thotë se e kishte marrë njoftimin më 31 gusht dhe kishte izoluar produktin, kur u vu në dijeni AKU, çfarë verifikimi kreu dhe pse qytetarët u njoftuan vetëm më 8 shtator?

 

Çështja mbetet tashmë mes dy versioneve: nga njëra anë alarmi i publikuar nga AKU për një produkt të klasifikuar me risk serioz té njoftuar nga Italia, dhe nga ana tjetër pretendimi i CONAD Albania se produkti ishte izoluar përpara se të dilte në shitje.

 

Emisioni i plotë, "Xhadat”MCN TV: 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy