Për protestën e 11 shkurtit, deputeti Dashamir Shehi thotë se opozita ka gjithë të drejtën e Zotit që të bëjë protesta, madje shtoi se edhe personalisht do të shkojë, ashtu siç ka qenë në çdo protestë.
Nuk më pëlqen të hipi në tribunë, se nuk ndajmë të njëjtën ide për opozitën, Berisha, Meta dhe unë. Nuk besoj se Berisha dhe Meta bëjnë opozitën e Shqipërisë dhe pastrojnë opozitën.
Se ata kanë detyrime për ato që kanë bërë ndër vite dhe duhet të japin disa shpjegime. Kam frikë se nuk janë në pozicionin më të mirë për tu bërë moral të tjerëve.
E mbështes protestën si qytetar i ndershëm për të protestuar kundër kësaj qeverie të korruptuar. Por nuk besoj se ata që do hipin në tribun janë imazh.
Momenti është politik, kemi nevojë të shtyjmë jashtë vendimmarrjes këtë lloj qeverie të korruptuar, deri këtu bashkohem.
Pjesën tjetër nuk e ndaj bashkë me zotin Berisha dhe Meta. Kemi ide të ndryshme se si bëhet opozita, se si bëhen zgjedhjet e lira dhe demokratike.
Ligji që ndërtuan në 2009 me Ramën është barbar për demokracinë, kanë prishur një pjesë të Kushtetutës dhe nuk janë këta personazhet që bëjnë dritë për të ardhmen.
Në një lidhje me studion e MCN Live, Shehi deklaroi prerazi se nuk do të dalin në zgjedhje me Enkelejd Alibeaj, por do të dalin më vete si Lëvizje për Zhvillim Kombëtar.
Një formulë do e gjejmë dhe me Bindjen Demokratike dhe parti të tjera, po mundohemi të bëjmë një adresë të re politike për zgjedhje.
Do flasim gjithmonë për proporcionalin, anëtarët e këshillave bashkiak. Ne do na pëlqente të jetë një kandidat nga Partia Demokratike.
Atje ku është një kandidat ne do e mbështesim atë kandidat. Deri më sot nuk kemi asnjë lloj marrëveshje as me Alibashën as me partinë e çamëve.
Jemi të hapur me të gjithë të diskutojmë. Në këtë situatë që është opozita shqiptare, ka nevojë për një djalë të mirë në çdo qytet.
Dy gjëra na bashkojnë ne, ai djali apo vajza e mirë atje ku është dhe lufta ndaj Edi Ramës.
Shehi shtoi se nëse do përfundohet te një kandidat i vetëm opozita ka një shans të madh për të fituar zgjedhjet.
Në vijim nënvizoi se mazhoranca e sotme ka dhe gurin dhe arrën, por sipas tij, vjen ndonjëherë një situatë që ta thyen dhe gurin dhe arrën se kështu është politika në Shqipëri.
Peri këputet duke u holluar, zullumi këputet duke u trashur. Edi Rama e ka trashur zullumin dhe mund të këputet dhe para zgjedhjeve.
Opozita duhet të bëjë gati kandidatët më të mirë të bashkisë dhe të bëjmë një aleancë që të shtyjmë të gjitha problemet pas zgjedhjeve.
Opozita është gjallë dhe më e gjallë se kurrë, ne do shkojmë ti fitojmë zgjedhjet se u këput zullumi i Edi Ramës, keni për ta parë që ata që do humbin do jetë pala tjetër.
Edhe në këtë rrëmujën opozitare unë shoh shpresë të madhe, Berisha ka njerëzit e vetë, ne kemi njerëzit tanë.
Ai që na bashkon, është kryetari për bashkinë e Durrësit, apo të Shkodrës, do i shkojmë atij mbas dhe jemi në rregull për këtë punë.
Nuk kemi nevojë të shkojmë të gjithë bashkë. Në terren me këtë qeverisje, qytetarit i ka ardhur në majë të hundës.
Të kënaqur me Edi Ramën dhe qeverisjen e PS janë vetëm një grup pasanikësh që po ndajnë paratë e Shqipërisë.
Rasti i fundit e tregoi kjo shefja e kabinetit që ndante paratë me pastruesen, apo ia fshihte pastruesja. Nuk besoj që një socialist i ndershëm që merr rrogën si mësues, është i kënaqur me këtë qeveri.
Duhet të hapim një faqe të re të ndryshme, me djem dhe vajza të reja. Për arsye ka kohë të mjaftueshme deri në moment të fundit.
Këshilltarë ne do marrim në çdo bashki dhe më shumë, por kjo është çështje e një projeksioni politik. Është çështje edhe ndërrimi.
Nuk mund të vazhdojmë njëlloj sikur nuk ka ndodhur asgjë në 32 vjet.
Shehi shtoi se nuk ka pasur takime as me Sali Berishën dhe as me Ilir Metën, por se ka pasur diskutime me kolegë që mendojnë njëlloj si ai dhe po shkojnë drejt përfundimit edhe të procedurave ligjore për t’u përgatitur për zgjedhjet.
Kandidatët janë të mjaftueshëm, disa janë të mirë, disa mund të ishin shumë të mirë, të paktën këta që kanë dalë për bashkitë e mëdha.
Ka akoma kohë për të negociuar edhe ato dy grupet brenda Partisë Demokratike me njeri tjetrin.



