
Drejtori i Arkivit të Shtetit, Ardit Bido, foli në edicionin e lajmeve në MCN Tv mbi publikimin e dokumenteve mbi sasinë e arit që mori mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria në vitin 1939. Bido thotë se dokumentet që i përkasin milicisë fashiste, duhen parë me rezerva sa i takon vërtetësisë dhe sinqeritetit të tyre, por janë një dëshmi mbi çështjen e arit. Ai thekson se roli i institucionit në raport me çështjen është neutral. Ai vë në dukje pretendimin e Zogut se ari u mor me qëllimin që të krijohej një qeveri në mërgim, dhe i përkiste Kurorës, jo shtetit shqiptar.
Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë nuk rrimë të evidentojmë sinqeritetin apo vërtetësinë e dokumentit, aq më tepër të hyjmë në interpretime, ‘u vodh’, ‘u mor’, nuk e di çfarë sa i përket arit që dihet se mbreti Zog ka dalë me vete nga Shqipëria. Dua të theksoj se ne botojmë dokumente çdo ditë. Disa herë bie në sy të mediave dhe bëhet virale, disa herë të tjera, në shumicën e rasteve, kalon si pa u vënë re. Këto dy dokumente, dy fletë të një dokumenti, gjenden në Arkivin Qendror Shtetëror. I përkasin milicisë fashiste, në të cilin flitet për një person Gjon Fusha, i cili ka raportuar se me ikjen e mbretit Zog nga Shqipëria, pala greke gjeti një sasi më madhe ari, 2,5 milionë napolona ari që i përkisnin mbretit dhe një sasi të madhe që i përkisnin shoqëruesve të tij. Sa i sinqertë është ky dokument, unë kam rezervat e mia. Bëhet fjalë për dokumente ndaj një regjimi anti-Zogist, që ishte regjimi fashist, që ishte një regjim pushtues që akti i parë i të cilës heqja e Zogut nga froni mbretëror dhe dhënia e kurorës Viktor Emanuelit të III.
Këto dokumente duhen parë me rezerva mbi vërtetësinë e tyre, por që natyrisht përbëjnë një dëshmi mbi çështjen konkrete, të arit që mbreti mori me vetin. Do provokojnë debat, ne e dinim. Ne nuk kursehemi nga debati publik. Roli ynë është neutral. Kur vjen fjala për sasinë e arit, ka pasur një debat diakronik që ka lindur nga historiografia komuniste që e ka etiketuar si një vjedhje të arit shqiptar. Ka disa shifra që nuk përputhen. Kemi një vendim të qeverisë shqiptare për të tërhequr nga Banka e Shqipërisë një sasi të konsiderueshme të arit, që gjendeshin në Bankën e Shqipërisë, por gjendej si pagesa e mbretit dhe të ardhurat e kurorës dhe me atë iku nga Shqipëria. Kemi raporte të tjera që na vijnë nga DASH që e çon ne 500 mijë napolona ari, që mbreti kishte kur ishte në mërgim. Thuhej që 300 mijë dollarë ishte sasia totale që mbreti kishte marrë nga Shqipëria. Kjo është një shifër tjetër që duhet marrë me rezerva. Mbreti me sasinë e arit që kishte me vete, mëtonte që të krijonte qeverinë shqiptare në mërgim, që do luante rolin e riorganizimit të një ushtrie, mbajtjesh të legjitimitetit të shtetit shqiptar, që ishe pushtuar nga Italia fashiste. Pavarësisht se ia doli që të njihej kjo qeveri në mërgim dhe nuk ia doli që të hynte ushtarakisht në Shqipëri, sidomos gjatë luftës greko-italiane....Arsyeja pse kjo sasi ari u mor me vete sipas pretendimit të mbretit Zog ishte e tillë, dhe thuhej që ishte ari i kurorës dhe jo i shtetit shqiptar. Ka akte të tjera zyrtare që bëjnë fjalë për tërheqjen e fundit, që ishte më e vogël se 2,5 milionë franga ari që pretendohet në këtë dokument”.
I pyetur nëse ka dokumente në Arkivë për arin e depozituar në Zvicër nga regjimi i Enver Hoxhës, apo edhe për arin e Krrabës që thuhet se u vodh, Bido dha këtë përgjigje:
Historia e arit shqiptar është tragjike, tragji-komike. Sasia e arit shqiptar që u gjet në Bankën e Romës, dhe më vonë gjermanët e sekuestruan, nuk u kthye ne atdhe për 50 vite, për 60 vite. Historia e arit shqiptar u ndërlidh me historinë e Kanalit të Korfuzit. Britania që e kishte marrë prej bankës gjermane refuzonte ta kthente arin, si pasojë e refuzimit të palës shqiptare për dëmshpërblimin. Refuzimi komunist refuzonte ta njihte si të saktë vendimin e Gjykatës së Hagës. Refuzon që ari të kthehej në formën e një huaje që do të falej. Kushtetuta e ndalonte Shqipërinë që të merrte hua. Kur vjen fjala për situatat e vjedhjes së arit në tunelet e Krrabës, dokumentet janë në arkivë, por janë deri diku të ditura, ka vendime gjykatash, deklarime publike, qëndrime të Policisë dhe SHISH, një pjesë prej tyre s’janë deklasifikuar ende, por një pjesë janë publike”.



