Aeroporti i Vlorës përballet me një tjetër zhvillim të rëndësishëm juridik, pasi një urdhër i 16 shtatorit, në kuadër të procedurës së arbitrazhit të administruar nga ICC, ka ndaluar përkohësisht qeverinë shqiptare të marrë posedimin apo kontrollin operacional të aeroportit, të kërkojë dorëzimin e aseteve apo të zëvendësojë kompaninë koncesionare me një operator tjetër. Masa vlen deri në ngritjen e Tribunalit të Arbitrazhit dhe shqyrtimin e çështjes në themel.
Zhvillimi vjen pasi Ministria e Infrastrukturës kishte nisur procedurën për zgjidhjen e parakohshme të kontratës koncesionare. Përballë kësaj situate, gazetarja Ola Xama, juristi Romeo Kara dhe eksperti i ekonomisë Pano Soko analizuan në studio konfliktin mes palëve, pikëpyetjet mbi kontratën, ecurinë e punimeve dhe pasojat që mund të ketë zgjatja e procesit të arbitrazhit.
Ola Xama u ndal te përmbajtja e masës së arbitrazhit dhe te mënyra se si është vepruar nga autoritetet shqiptare, duke argumentuar se vendimi ngre pikëpyetje mbi nxitimin për ndërprerjen e kontratës.
Sipas vendimit që ka marrë arbitrazhi, edhe pse nuk e kemi lexuar të plotë dhe kemi parë vetëm pikën 3, nëse e interpretoj këtë pikë dhe atë që rrjedh nga kërkesa e kompanisë MABCO, ndalohet marrja e masave të përshpejtuara për prishjen e kontratës koncesionare. Kjo pikë nënkupton se vendimi i qeverisë për zgjidhjen e kontratës mund të ketë qenë i nxituar, sepse vetë gjykata kërkon që të mos penalizohet pala private dhe të mos krijohen në të ardhmen detyrime dhe dëme për taksapaguesit shqiptarë që mund të rrjedhin nga prishja e kontratës.
Pa dashur të mbroj operatorët privatë, unë kam rezervat e mia për ta, sepse janë palë të Aeroportit të Vlorës dhe kemi edhe një hetim nga SPAK ku përzgjedhja dyshohet se ka qenë e paracaktuar. Por nëse shohim se si ka vepruar qeveria shqiptare me afatet kontraktuale dhe me kontratat e tjera koncesionare, duket një disbalancë e madhe. Te Aeroporti i Vlorës, edhe pse ai nuk është bërë ende i operueshëm, unë shoh një nxitim në raport me kontratat e tjera koncesionare, ndërsa sa i përket afateve, aeroporti duhej të kishte përfunduar në mars të këtij viti.
Nga ana tjetër, juristi Romeo Kara e cilësoi procesin e arbitrazhit si një procedurë që mund të zgjasë në kohë, duke vënë theksin te mungesa e qartësisë mbi marrëdhëniet mes ortakëve të koncesionit.
Veprimet e arbitrazhit për Aeroportin e Vlorës do të zgjasin në kohë. Ne nuk dimë ende raportin real të ortakëve të kontratës koncesionare. Kam vënë re një përplasje mediatike të dy ortakëve dhe për mua të dy nuk janë të sinqertë, ndërkohë që kemi gjithë këtë situatë që duket edhe absurde nga vendimet e ndryshme të gjykatave.
Jemi në një arbitrazh me një gjë shumë të çuditshme, sepse ata nuk e shohin shtetin shqiptar si fajtor sa i përket pjesës juridike, pasi konfliktin e kanë vetë dy palët dhe tani kërkojnë të zgjidhin në arbitrazh përballë shtetit shqiptar pasojat e moskryerjes së punëve të tyre.
Juristi ngriti edhe pikëpyetje mbi kredinë bankare të marrë nga kompania koncesionare dhe paralajmëroi për rëndësinë e mënyrës se si do të ndërpritet kontrata.
Pika ku duhet të jemi shumë të kujdesshëm është forma e ndërprerjes së kontratës. Në këtë rast duhet të dimë nëse palët kanë vepruar në mirëbesim apo jo dhe kjo duhet të merret si këshillë që të plotësohet kjo pjesë, në mënyrë që më pas të mos bëhemi ne fajtorë për diçka ku nuk kemi gisht sa i përket ligjit. Shteti shqiptar ka dorëzuar territorin dhe ata kanë filluar punën. Në substancë, askush nuk mund të përfitojë nga një mosrealizim që e ka shkaktuar vetë. Pra, askush nuk përfiton nga një veprim i gabuar apo nga një faj që e ka bërë vetë.
Ndërsa eksperti i ekonomisë Pano Soko e vendosi situatën në një kuadër më të gjerë, duke theksuar se, pavarësisht akuzave dhe përplasjeve mes palëve, problemi kryesor mbetet fakti që Shqipëria ende nuk ka një aeroport funksional në Vlorë. Sipas Sokos, përplasja mes ortakëve dhe zhvillimet e mëvonshme politike kanë ndikuar në situatën e krijuar rreth projektit.
Pacolli mund të gjejë emra dhe mund të ketë informacione të tjera që nuk janë bërë publike, por le të themi se sot diskutimi publik është fakti që Vlora nuk ka një aeroport. Duke lënë çdo gjë tjetër mënjanë, ne vendosëm të ndërtonim një aeroport që duhet të kishte mbaruar fillimisht në vitin 2023, ndërsa marsi i këtij viti ka qenë afati i fundit. Behxhet Pacolli do të përpiqet mediatikisht të fitojë luftën e tij, mund të ketë të dhëna që ne nuk i kemi, por natyrisht që këto janë çështje që duhen hetuar dhe SPAK duhet t’i provojë dyshimet që ekzistojnë.
Që nga fillimi, e gjithë kjo histori ka pasur pikëpyetje dhe përplasja që nisi vitin e shkuar u zhvillua paralelisht me një situatë të tensionuar mes ortakëve. Në thelb, ajo që mbetet është se Shqipëria sot nuk ka një aeroport që e ka planifikuar dhe investuar, ndërsa kemi edhe faktin që ai ndodhet në një nga zonat e mbrojtura në Nartë, që është një tjetër pikë e fortë e debatit. Mendoj se të gjithë këta faktorë të lidhur bashkë kanë çuar në këtë konflikt.



