Protesta masive kundër qeverisë ka shënuar sot ditën e saj të 108-të radhazi, duke konfirmuar një qëndresë që zgjat prej më shumë se tre muajsh.
Gjatë mbrëmjes së sotme, marshimi i qytetarëve është zhvendosur drejt Bllokut të Sigurisë në rrugën "Mine Peza", vend ku po mbahen të shoqëruar disa nga protestuesit e ndaluar në tubimet e mëparshme.
Me thirrjet e fuqishme "Nuk jeni vetëm", "Lironi shqipet" dhe "Gjithë Shqipëria është me ju", qytetarët kanë rrethuar godinën duke ofruar mbështetje morale për të arrestuarit dhe duke kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.
Kjo revoltë, e cila po cilësohet si ndër më jetëgjatat dhe më të veçantat në historinë e protestave në vend, ka treguar një vendosmëri të lartë të qytetarëve. Pjesëmarrësit shprehen të prerë se nuk do të tërhiqen nga rruga deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Përtej revoltës ndaj ekzekutivit, protestuesit nuk kanë kursyer akuzat dhe distancimin nga klasa tradicionale politike opozitare, duke e cilësuar këtë si një lëvizje kryesisht qytetare.
Gjithashtu protestuesit i kanë bërë thirrje publike Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të veprojë pa vonesë dhe të arrestojë zyrtarët e korruptuar.
Situata te Blloku i Sigurisë mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët vijojnë qëndresën nën monitorimin e forcave të rendit.



