Situata në drejtimin e Bashkisë së Tiranës vijon të jetë në qendër të debatit politik, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në paraburgim.
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, deklaroi në “MCN Live” se mungesa e drejtimit efektiv po krijon një situatë problematike për qytetin, duke kërkuar që Veliaj të japë dorëheqjen dhe të hapet rruga për një zgjidhje institucionale.
Teliti e përshkroi Tiranën si një bashki që aktualisht nuk ka një drejtim funksional, duke argumentuar se kryetari në detyrë nuk po ushtron funksionet e tij dhe se nuk është mandatuar një person tjetër për të menaxhuar punët e bashkisë.
Tirana sot është mall pa zot, pa kryetar apo zv.kryetar për të deleguar punët e Tiranës. Bashkia më e madhe e Shqipërisë, që duhet të ishte simbol nga ana e formës dhe cilësisë, sot është një bashki inekzistente. Kryetari i bashkisë në detyrë, por rezident në Durrës, e mban karrigen e kryebashkiakut si instrument, ndërkohë që Tirana nuk e ka menaxhimin e punëve në krye.
Duke iu referuar situatës së Veliajt, Teliti tha se përgjegjësia për akuzat dhe vendimmarrjen për çështjen e tij i takon organeve të drejtësisë, ndërsa qytetarët dhe institucionet duhet të kenë mundësi të kërkojnë një zgjidhje për funksionimin e bashkisë.
Erion Veliaj duhet të japë dorëheqjen. Duhet të uleshin palët dhe të gjenin një zgjidhje juridikisht korrekte se si zgjidhen të tilla problematika. Në vendet europiane nuk konceptohet dot që një kryetar bashkie të arrestohet dhe të mbajë postin e vet, kjo nuk ndodh. Në Shqipëri, kjo racë politikanësh që ne kemi, që janë të mazhorancës, nuk e kanë moralin të japin dorëheqjen edhe pse kanë 20 muaj tashmë në burg. Çfarë pret Veliaj që të japë dorëheqjen?
Teliti theksoi se qëndrimi i Veliajt në detyrë nuk duhet të përdoret si argument politik për çështjen e tij gjyqësore, duke nënvizuar se vendimmarrja për fajësinë apo pafajësinë i takon ekskluzivisht prokurorisë dhe gjykatës.
Veliajn e arreston dhe e dënon prokuroria dhe gjykata, ne kemi akuzat dhe dyshimet tona, por nuk të dënojmë ne. Ai ka të drejtën e vet të mbrohet, por ne qytetarët e thjeshtë nuk kemi të drejtë të kërkojmë zgjidhje për problematikat tona. Në momentin që kryebashkiaku e ka me firmë dhe vulë që ai do të qëndrojë në paraburgim, se ka prova të mjaftueshme, atëherë ai duhet t’i hapte rrugë Tiranës duke dhënë dorëheqjen.
Në vijim, nënkryetari i Këshillit Bashkiak ngriti edhe çështjen e delegimit të kompetencave, duke argumentuar se, përtej qëndrimit personal të Veliajt, bashkia ka nevojë për një drejtim funksional dhe një zgjidhje institucionale.
Ai jo vetëm që nuk e ka bërë këtë, por as nuk ka mandatuar dikë tjetër. Kjo është problematika që duhet të zgjidhet, sepse Tirana nuk mund të mbetet pa menaxhimin e punëve të saj dhe pa një drejtim të qartë institucional.



