Një alarm i kuq i lëshuar nga rrjeti europian i sigurisë ushqimore (RASFF) për bllokimin e një loti sallami me afat skadence deri më 23 tetor 2026, i cili tregtohej në rrjetin e supermarketeve "Conad", ka ndezur një debat të fortë mbi sigurinë e konsumatorit shqiptar dhe transparencën e institucioneve.
Gjatë një raportimi të detajuar për "MCN Live", gazetarja Jonida Cakoni hodhi dritë mbi përplasjen e versioneve mes Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) dhe vetë kompanisë, duke ngritur pikëpyetje serioze nëse ky produkt, i cili rezulton me rrezikshmëri të lartë për jetën, ka përfunduar apo jo në tryezat e qytetarëve.
Ne jemi vendosur në një prej pikave të rrjetit të supermarketeve Conad pasi AKU ka njoftuar vetëm një ditë më parë për bllokimin e një loti të caktuar sallami që tregtohet në 'Conad' me datë skadence 23 tetor 2026, ku sipas të dhënave zyrtare të RASFF është vendosur alarmi sepse në këtë produkt është gjetur një përbërës mjaft i rrezikshëm që shkakton probleme serioze për jetën e qytetarëve, por pas këtij njoftimi vetë kompania 'Conad' ka pretenduar përmes një reagimi se ky produkt është gjetur dhe është izoluar menjëherë pa u hedhur fare në treg, ndërsa nga ana tjetër AKU nuk e ka sqaruar në njoftimin e saj nëse ky bllokim është bërë direkt apo pasi produkti kishte mbërritur për shitje.
Më tej, gazetarja theksoi se mungesa e informacionit të saktë nga autoritetet ka shtuar panikun te konsumatorët, të cilët ndjehen të pasigurt përballë çmimeve të larta dhe cilësisë së dobët.
Përfaqësuesit e rrjetit të supermarketeve pretendojnë se AKU nuk e ka theksuar qëllimisht faktin se produktet e rrezikshme janë bllokuar që në momentin e parë të njoftimit të ardhur nga Italia dhe Europa, duke këmbëngulur se asnjë sasi nuk ka dalë në treg për konsumatorët, megjithatë deri më tani ende nuk është sqaruar zyrtarisht se cili është saktësisht ky produkt apo bakter që shkakton probleme serioze për shëndetin e njeriut.
Ky nuk është rasti i parë sepse kemi parë plot raste të tjera ku produkte të rrezikshme janë hedhur në treg nga rrjete të ndryshme, ndërkohë që vetë qytetarët shprehen mjaft të shqetësuar pasi po paguajnë më shumë se në Europë për blerjen e ushqimeve të përditshme dhe po përballen vazhdimisht me pasigurinë e produkteve që kanë afate tejet të afërta skadence.



