Protestat kundër qeverisë dhe situata politike në vend kanë rikthyer në debat çështjen e tranzicionit të gjatë shqiptar, funksionimit të demokracisë dhe përgjegjësisë së klasës politike. Të ftuarit në ‘MCN Live’, avokatja Arta Danaj dhe arkitekti Gjergji Caca, e shohin protestën si një mekanizëm të rëndësishëm qytetar për të kundërshtuar atë që e konsiderojnë keqqeverisje, korrupsion dhe mungesë të përgjegjësisë politike e morale.
Avokatja Arta Danaj deklaroi se protestat janë shprehje e pakënaqësisë së qytetarëve ndaj një sistemi që, sipas saj, pas 35 vitesh tranzicion ka devijuar drejt një forme të “diktaturës ekonomike”, ndërsa theksoi se shqiptarët tashmë e kanë kuptuar se këtij tranzicioni i ka ardhur fundi.
Ajo protestë nisi kundër qeverisë dhe korrupsionit, nga shqiptarët e pakënaqur me këtë sistem që ka krijuar një situatë të vështirë, një sistem hibrid që në fakt anon më shumë nga një diktaturë ekonomike sesa nga një demokraci e vërtetë. Për këtë arsye jemi në këtë situatë, me një protestë të fortë kundër këtij sistemi politik 35-vjeçar, sepse shqiptarët e kanë kuptuar që këtij tranzicioni të gjatë i ka ardhur fundi. Kam qenë studente dhe tashmë që jam plakur pothuajse, ky tranzicion vijon akoma dhe patjetër që shqiptarët duhet të zgjohen. Unë jam nga ata shqiptarë që mendoj se klasa politike shqiptare, kryesisht këta drejtues që kemi sot, ende nuk kanë ndërgjegje të lartë morale dhe nuk janë në atë shkallë që ne kërkojmë. Meqë kanë qeverisur keq, kanë keqpërdorur fondet dhe kanë bërë afera, të gjitha këto dihen dhe janë thënë publikisht, atëherë duhet t’u bien në gjunjë shqiptarëve dhe të paktën t’u kërkojnë falje.
Sipas saj, protesta duhet të marrë përmasa më të mëdha dhe të shkojë drejt një forme të mosbindjes civile, por pa dëmtuar individët apo pronën private. Danaj solli si shembull protestat në vende të tjera europiane, duke argumentuar se qytetarët duhet të përdorin të gjitha format demokratike të reagimit.
Ne kemi shumë media komunikimi online, shqiptarët e Shqipërisë, intelektualë nga e gjithë diaspora dhe emigrantë që kanë ikur, ndaj duhet të ketë përshkallëzim të protestës, por pa dëmtuar asnjë individ dhe asnjë pronë shqiptare. Duhet të bllokohen rrugët dhe të marrim shembuj si në Greqi apo në Angli. Politika i është trembur protestës dhe për këtë arsye mendoj se duhet përshkallëzuar drejt mosbindjes civile. Mikrofoni në protestë është bërë pak pengesë; protesta me mikrofon nuk ka, sepse protesta është demonstratë dhe jo festival.
Nga ana tjetër, arkitekti Gjergji Caca e konsideroi protestën një prej mekanizmave më të rëndësishëm që qytetarët kanë në dispozicion për të ushtruar presion ndaj pushtetit dhe për të kërkuar përgjegjësi nga ata që marrin votën e tyre.
Gjëja e parë është protesta. Megjithëse u neglizhua nga shumë faktorë politikë dhe mediatikë javën e parë, të paktën protesta arriti që të flitej për të në 99% të studiove. Por më i rëndësishëm është mekanizmi që është në dorën e sovranit, i cili plotëson ligjërisht nevojat e tij politike dhe ekonomike. Pushteti e shikon sovranin si një hambar ku drejtohet për të marrë, për të marrë prona dhe për të marrë lekë nga ky hambar, por asnjëherë për t’i dhënë këtij hambari. Protesta ka arritur të bëjë gjënë e parë, të vrasë frikën dhe të ndërgjegjësojë qytetarët.
Ai shtoi se protestat kanë zëvendësuar, në një masë të konsiderueshme, atë që e cilësoi si “opozitën e munguar”, duke argumentuar se një prej elementëve që i ka munguar shoqërisë shqiptare ka qenë kultura e kërkimit të llogarisë ndaj pushtetit.
Protesta ka zëvendësuar opozitën e munguar. Edhe ai që zgjidhet në qeveri, nëse nuk e bën punën siç duhet, duhet të largohet dhe kjo është pjesa tjetër e kulturës që na mungon. Deri dje nuk e kishim kulturën e të bërit protestë dhe kjo tani është një arritje shumë e madhe. Në vende të BE-së kemi parë se si pushteti mbahej me dhunë dhe shantazhe, ndërsa tani skandalet kanë plasur me radhë. Edhe në SHBA ka shembuj të tillë. Gjithmonë do të ketë probleme dhe gjithmonë do të ketë nevojë për kontroll, por ideja është që atje funksionojnë hallkat e demokracisë.
Caca theksoi gjithashtu se përgjegjësia politike dhe morale e atyre që marrin votën e qytetarëve duhet të jetë një element themelor i funksionimit të demokracisë, ndërsa protestën aktuale e sheh si një përpjekje për rikthimin e dinjitetit të qytetarëve shqiptarë.
Përgjegjësia është e atyre që kanë marrë vota. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për ato që ndodhin, sepse këtu mungon përgjegjësia, qoftë juridike, por edhe morale. Protesta ka pak kohë që nuk i ka përmasat e atyre që ka pasur, sepse kur nuk është një grupim homogjen dhe bëhet nga disa grupe me shumë interesa, është e vështirë të ketë të njëjtin dimension. Por për mua qëllimi është që gjërat të bëhen jo për të larë gojën, por sepse ashtu duhet të bëhen. Shqipëria duhet të funksionojë si demokraci dhe kjo arrihet me votë. Prandaj ne po luftojmë për dinjitetin njerëzor dhe për dinjitetin e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj.



