Ministria e Drejtësisë ka hedhur për konsultim publik draftin që parashikon shkrirjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës (ATP), me synim krijimin e një institucioni të ri, të emërtuar Agjencia Shtetërore e Pronësisë.
E ftuar në studion e lajmeve të MCN TV, Ledina Mandia e ka cilësuar nismën si një skemë të paqartë, duke kritikuar qeverinë për mungesën e analizave të plota dhe transparente mbi problematikat e pronësisë në Shqipëri.
Sipas Mandias, qeveria po ndërmerr ndryshime ligjore pa pasur ende një kuadër të plotë për mënyrën se si do të zbatohen dhe pa adresuar në mënyrë konkrete problematikat e krijuara ndër vite.
Qeveria paraqet paketa ligjore të pakonsultuara dhe kërkon t’i aprovojë në Parlament, pa pasur një kuadër të plotë ligjor për zbatimin e tyre. Skema është e paqartë, sepse nuk ka një analizë të mirëfilltë për rregullimin e problematikave të krijuara ndër vite. Mungon një qasje e qartë për mënyrën se si do të trajtohen këto problematika dhe si do të kryhet regjistrimi i pronës. Qeveria pretendon se, duke qenë në institucione të ndryshme, nuk ka koordinim për regjistrimin dhe koordinimin e të gjithë titujve të pronësisë.
Ajo u ndal edhe te reforma e vitit 2015 për kthimin dhe kompensimin e pronave, duke argumentuar se procesi ka mbetur i papërfunduar dhe ka krijuar pasiguri jo vetëm për pronarët, por edhe për investitorët vendas e të huaj.
Qeveria është e vonuar sa i përket problematikave të pronës. Në vitin 2015 erdhi me një ligj për kthimin dhe kompensimin e pronës dhe e nisi këtë me një proces kompensimi financiar, duke pasur paqartësi në lidhje me atë se çfarë kishte realisht në mundësinë e saj për të realizuar, qoftë kompensimin financiar, qoftë atë fizik. Nuk kishte të referuar as regjistrimin përfundimtar të titujve të pronësisë. Ishte një proces i nisur dhe i lënë rrugës, që nuk dihet se kur do të përfundojë, duke prekur jo vetëm pronarët, por edhe shumë investitorë të huaj dhe vendas.
Mandia argumentoi se krijimi i një institucioni të ri nuk mund të shihet si zgjidhje nëse më parë nuk bëhet një analizë e detajuar e situatës dhe nuk përcaktohen qartë problematikat që kërkojnë zgjidhje.
Qeveria nuk bën analiza të sakta dhe transparente. Është e vonuar sa i përket problematikave të pronës. Sot jemi sërish aty ku thuhet se nuk janë ekzekutuar vendimet përfundimtare të pronës dhe vetëm 43% e titujve të pronësisë kanë përfunduar në vitin 2025. Ndërkohë ka përfunduar edhe afati kur, sipas qeverisë, ky proces duhej të kishte përfunduar. ATP-ja, e krijuar nga vetë qeveria për këtë skemë, ka dështuar totalisht dhe tani pretendohet se përmes këtij ligji do të bashkohen institucionet për shkak se janë të fragmentarizuara.
Ajo ngriti gjithashtu akuza për korrupsion dhe mungesë koordinimi institucional, duke paralajmëruar se ndryshimi i strukturës së institucioneve nuk mjafton për të zgjidhur problemet e pronësisë.
Qeveria ka një korrupsion të madh dhe ka një problem me moskoordinimin mes institucioneve. Sot jemi shumë vonë dhe kemi problematika të cilat nuk mund të zgjidhen thjesht duke ndryshuar ligjin. Ligji do të hyjë në fuqi pasi të regjistrohet në Fletoren Zyrtare, pra qeveria vjen totalisht e papërgatitur. Është një skemë e paqartë. Pa të dhëna të sakta dhe shifra konkrete nuk mund të gjendet zgjidhja e problemit. Skema për shkrirjen e këtyre institucioneve është e paqartë.



