
Ndahet nga jeta në moshën 79-vjeçare ish-Presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf.
Familja konfirmoi se pas një sëmundjeje të gjatë, ish-Presidenti pakistanez Pervez Musharraf vdiq në një spital në Dubai.
Gjenerali i cili erdhi në pushtet falë një grushti shteti dhe qëndroi në krye të vendit nga viti 2001 deri në 2008, u nda nga jeta prej sëmundjes.
Ndërkohë një njoftim për vdekjen e tij, u bë dhe nga Forcat e Armatosura, ku ai ishte shef nga viti 1998 deri në 2007.
Nga forcat e armatosura pakistaneze erdhën “ngushëllime të sinqerta për vdekjen e trishtuar të gjeneralit”.
Në shtatë vitet që drejtoi vendin pas grushtit të shtetit pa gjak në vitin 1999 i cili i dha fund sundimit të Nawaz Sharif, Musharraf i mbijetoi të paktën tre tentativave për ta vrarë.
Musharraf ishte një aleat kyç i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, por e gjeti veten të detyruar të menaxhonte një ekuilibër tmerrësisht të paqëndrueshëm në krye të një vendi që kishte lidhje shumë të forta me Afganistanin dhe e kundërshtonte rolin e urës në konfliktin e udhëhequr nga Amerika.
Nën presidencën e tij, tensionet e brendshme në Pakistan ishin të vazhdueshme dhe në rritje.
Deri në atë pikë sa në vitin 2007 ai pezulloi Kushtetutën, vendosi gjendjen ushtarake, shkarkoi kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe arrestoi aktivistë dhe avokatë.
Për këtë arsye ai u akuzua dhe u detyrua të jepte dorëheqjen. Në vitin 2019 ai u dënua edhe me vdekje për pezullimin e Kushtetutës, por më vonë dënimi u anulua.



