Pas vendimit të Gjykatës Administrative për të zhbllokuar pagat për Gjykatën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe asaj të Durrësit, ka reaguar Kryeministri Edi Rama.
Ai e cilëson si një vendim të rrufeshëm në mënyrë që gjyqtarët t’i rrisin pagën vetes, por edhe shkelje të ligjit.
Sipas tij, një vendim i tillë vjen “sa hap e mbyll sytë”, ndërkohë që mijëra dosje qytetarësh presin në sirtarët e së njëjtës gjykatë prej vitesh.
Rama shprehet i prerë duke thënë se dyert e Thesarit të Shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë çështje, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.
Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative...
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cenon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!
Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e Thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e Thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator.



