Dhoma Vendore e Avokatisë në Durrës ka bojkotuar për dy orë mëngjesin e sotëm aktivitetin gjyqësor, në shenjë solidariteti pas plagosjes së një avokati dy ditë më parë në një lokal në Durrës.
Gazetarja Ervina Garo raportoi se avokatët kanë kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa theksoi se, sipas burimeve, konflikti mund të ketë lidhje me ushtrimin e detyrës së avokatit.
Dhoma Vendore e Durrësit ka bojkotuar për dy orë mëngjesin e sotëm, në shenjë solidariteti për ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në një lokal, ku kolegu i tyre, Elton Shllaku u plagos nga një 61-vjeçar, i cili tashmë është në arrati. Ata kanë kërkuar zbardhjen e ngjarjes, e gjitha kjo për shkak të faktit që, sipas burimeve, ka të bëjë me ushtrimin e detyrës.
Dyshohet për një konflikt që ka ardhur nga një çështje që avokati mbronte lidhur me pronat. Nga ana tjetër, vetë avokatët janë shprehur se nuk është hera e parë që cenohet siguria e tyre dhe jeta e tyre, prandaj ata kanë kërkuar që gjithçka të jetë transparente dhe që kjo ngjarje të zbardhet plotësisht. E gjithë ngjarja pritet të diskutohet edhe në Dhomën e Avokatisë.



