Gjuhëtari Aristotel Spiro deklaroi në emisionin “Arnautistan” në MCN TV se ka një shqetësim në radhët e akademikëve sa i takon drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.
Spiro tha se duhet sqaruar parimi themelor i drejtshkrimit që në Kongresin e fundit është konsideruar ai fonetik.
Sipas Spiros parimi themelor nuk është ai fonetik, por parimi fonologjik.
Ka shqetësim nga të gjithë bashkësia akademike, sidomos te drejtshkrimi, a duhet ndryshuar apo jo. Jam përqendruar te parimi themelor i drejtshkrimit, sepse sqarimi i tij ndihmon në vendosjen e ligjëratës në bazë shumë të sigurt. Ajo që u formulua në Kongres se parimi themelor është ai fonetik, nuk është e saktë. Parimi themelor s’është parimi fonetik, sepse fjalët shkruhen ashtu siç i mendojmë, siç i analizojmë në trurin tonë. ‘Ne shkruajmë ashtu siç flasim’, është një formulim që nuk sqaron në të vërtetë kur shkruajmë. Ne themi ‘mendo pa folur’, ose ‘mendo pa shkruar’. Ne e mendojmë diçka, nuk presim ta dëgjojmë. Edhe kur e dëgjojmë e identifikojmë ose barazojmë me atë që kemi në trurin tonë”.
Parimi fonologjik është parimi ku shkrimi ndjek fonemat, fjalët ashtu sic i përfytyrojmë në mënyrë tingëllore në trurin tonë. Kemi fjalën sarandjot. Në fund kemi 'jot', në të shkruar kjo shkruhet me ‘i’, në të dëgjuar ajo dëgjohet si ‘j’. Kemi fonemën ‘i’ që dëgjohet si ‘j’, por do shkruhet si i. Nëse e shkruajmë si ‘j’ kemi pranuar të shkruajmë sipas parimit fonetik. Por realisht në kokën tonë e përfytyrojmë si ‘i’. Ky parim siguron qëndrueshmërinë e gjuhës.
Ai tha se autoriteti më i përshtatshëm për përcaktimin e parimit themelor të drejtshkrimit është Akademia e Shkencave.
Sipas Spiros disa akademikë e mbrojnë parimin fonetik në drejtshkrim duke krijuar një "shenjtërim të panevojshëm të shkencës".
Gjuhatari thotë se parimi është formuluar në mënyrë të pasaktë në Kongresin e Drejtshkrimit, sepse atëherë mendohej se parimi fonetik e mbulonte edhe atë fonologjik.



