
Prej disa ditësh çmimi i naftës është ngjitur në gati 230 lekë për litër.
Si do të reflektohet kjo në buxhetet e familjeve shqiptare, tashmë të përballura me çmime të larta të mallrave të konsumit?
Ekspertët e ekonomisë, Ergis Sefa dhe Pano Soko, në "MCN Economy", analizuan faktorët e rritjes dhe ndan mendimin e përbashkët në ndikimin e spekulimeve nga tregtarët.
Sefa thotë se kjo rritje godet më shumë grupet vulnerable.
Faktorët që po çojnë në këtë krizë janë dy, të brendshëm dhe të jashtëm.
Së pari, kriza në Hormuz dhe fakti që nuk po kthehemi në kushte normale pas nisjes së konfliktit, në rang botëror.
Pjesa tjetër janë kushte të brendshme, spekulimi dhe mosmonitorimi. Është një barrë për buxhetet familjare, kjo nuk diskutohet.
Çdo gjë ndikon në transport, po u rrit çmimi vështirësohet jeta, një efekt zinxhir që ua vështirëson jetën së pari grupeve vulnerabil.
Soko shprehet se në thelb rritja e çmimit të naftës është spekulim që ndikon te rritja e çmimeve të ushqimeve.
Kriza është e qenësishme. Infrastruktura e energjisë po goditet në botë, duket se ka një strategji për të goditur impiantet e naftës dhe për ta bërë çmimin të lartë.
Situata nuk është e mirë, problemi që kemi në vend është se qytetarët janë braktisur nga qeveria.
Në thelb inflacioni është spekulim, edhe rritja e çmimit të naftës është spekulim, për shkak të rritjes së kërkesës.
Rritja e çmimit të naftës hap dyert e spekulimit në të gjitha fushat.
Tregtarët do të thonë 'u rrit nafta' dhe do të rrisin artificialisht edhe çmimet e ushqimeve.



