Ka nisur me tensione të ashpra protesta e paralajmëruar prej dy ditësh nga banorët e fshatrave të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinzë.
Pasi tubimi i parë pranë zyrave qendrore nuk solli asnjë negociatë me zyrtarët e kompanisë "Bankers Petroleum", banorët kanë përmbushur paralajmërimin e tyre duke zhvendosur dhe përshkallëzuar qëndresën mëngjesin e sotëm.
Protestuesit janë grumbulluar përpara Sheshit Satelit 3, ku situata ka dalë jashtë kontrollit. Banorët kanë hapur me forcë portën kryesore të këtij sektori dhe janë futur brenda ambienteve të kompanisë.
Në mes të tensioneve të larta, banorët e revoltuar kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të punonjësve nga vendi i punës, duke synuar bllokimin e plotë të operacioneve të nxjerrjes së naftës.
Në qendër të kësaj përplasjeje është kërkesa e komunitetit vendas për respektimin e kontratave ekzistuese dhe pagesat e drejta për tokat e dhëna me qira. Banorët janë shprehur njëzëri se nuk do të lejojnë që vlera e qirasë së tokës të përgjysmohet nga 4 milionë lekë për dynym në vetëm 2 milionë lekë.
Aktualisht, protestuesit ndodhen ende brenda rrethimit të Sheshit Satelit 3 dhe deklarojnë se nuk do të tërhiqen pa marrë një përgjigje zyrtare dhe pa u garantuar vlerat e plota të kontratave të tyre.



