Kryetari Shoqatës së Eksportuesve Alban Zusi deklaroi në “MCN Economy” se duhet t’i kushtojmë vëmendje prioritare bujqësisë dhe ushqimit, pasi në tërësi kontributi i këtij sektori në ekonomi shkon në 35 për qind.
Zusi thekson se nëse ka shanse për zhvillim ekonomik ky vend janë pikërisht te ky sektor. Po ashtu ai u shpreh se bujqësia dhe ushqimi s’duhen parë si lopë për t’u mjelë për t’i çuar paratë në rrugë, tunele dhe autostrada.
Ekziston mundësia që shumë gjëra të bëheshin vet, nëse do t’i kushtonim një vëmendje prioritare bujqësisë dhe ushqimit. Kur kam qenë zv.ministër kam bërë disa kërkime të tjera, ku 18 për qindshi është prodhimi primar, po ta marrim në tërësinë e vet vlera shkon gati te 35 për qindshi, bujqësi-ushqim, sepse ato s’duhen parë të ndara sepse ndihmojnë njëra-tjetrën. Nëse ky sektor zë 30-35 për qind të GDP-së ka nevojë për vëmendje të posaçme. Këtu duhet të fokusohemi. Nuk duhet ta shohim bujqësinë, ushqimin si lopë për ta mjelë, për t’i çuar paratë për rrugët, tunelet, autostradat, por duhet parë si dhuratë nga natyra, sepse nëse kemi një dhuratë si vend, një nga këto janë kushtet klimatike, pozicioni i mirë gjeografik, etj. Së dyti duhen bërë politikat që ne ta përdorim tokën. Nuk jemi duke e shfrytëzuar tokën. Kemi 33 vjet që dëgjojmë që toka është ndarë gabim, dhe janë pak ato njerëz që kanë vendosur gishtin në plagë. Ka nevojë për një konsensus kombëtar. B-ja është që të fillojmë të përdorim tokën. Duhet të investojmë në teknologjitë e duhura, për të marrë rendimente maksimale.
Ne duhet të fillojmë të kuptojmë se resurset ushqimore janë resurse të kufizuara, që duhet të menaxhohen me ekonomizim maksimal dhe inteligjencë maksimale. Ushqimin sintetik nuk e do njeri. Ne sot kemi edhe institucione publike që groposin produkte. Janë dy tre institucione publike që groposin çdo vite mijëra tonelata, që mund të bëheshin fertilizant, ushqim për zootekni, etj. Me një stoicizëm idiotesk kemi institucione që vazhdojnë të groposen. Çdo gjë që del nga supermarketet nuk duhet të hidhet duhet të riciklohet. Edhe ajo që del nga bagëtia duhet të ripërdoret dhe të ulim varësinë tonë nga importet. Kur ne jemi në kërcënimin e përditshëm nga uria, të kemi tokë dhe ta lëmë djerrë! Të marrim rendimente të ulëta kur kemi edhe kushte klimaterike të mira! Kur kemi gjithë këto opsione, shanse, ne jo vetëm s’po kontribuojmë në këtë sfidë globale, por ne vazhdojmë të kemi kosto shumë të larta për qytetarin, konsumatorit tonë...Të jesh në mes të bollëkut dhe të kesh të tillë tregues nuk është gjë e mirë. Nëse ka shanse për zhvillim ekonomik ky vend janë pikërisht te ky sektor”.
Duke u ndalur te ndryshimet mjedisore, Zuri tha se Shqipëria futet te zonat që mendohet se do ketë impakt të lartë dhe të shpejt në planet. Ai tha se po bëjmë pak për t’i kursyer dëmet mjedisit.
Dy janë sfidat e planetit, uria dhe mjedisi. Ne futemi te zonat që mendohet se do kemi impakt të lartë dhe më të shpejtë se vendet e tjera të planetit. Çfarë po bëjmë ne? Jam goxha kritik, sepse të paktën në sektorin e bujqësisë, ka kaq shumë hapësira për t’i kursyer dëmet mjedisit, siç janë dëmet që shkaktohen nga dekompozimi i substancave me origjinë shtazore, qoftë vegjetale. Mënyra se si i menaxhojmë, duke i groposur, duke i hedhur nëpër landfille, po shkatërrojmë edhe ujërat nëntokësore. Në Shqipëria ka shumë pak, për të mos thënë aspak, fabrika që merren me përpunimin e mbetjeve që vijnë nga stallat. Në Serbi kam parë mbi 10. Ne ende s’kemi qoftë edhe një nga këto impiante të prodhimit të biogazit. Nëse do menaxhohej në këtë formë, do minimizohej impakti i tyre. Kemi mbetjet me origjinë shtazore. Edhe pse kemi 4 impiante, sërish institucionet lejojnë groposjen, i gjithë gazi metan kthehet në dioksid karboni dhe ne po kontribuojmë negativisht në mjedis. Akoma s’e kemi ndarë mendjen, kjo historia e inceneratorëve patjetër do ishte një zgjidhje, por për sa kohë që s’është, jemi të vetmit në rajon që kemi disa zgjidhje, por nuk i implementojmë. Në 25 vite që punoj në atë stabiliment nuk kisha parë më shumë ujë, më shumë reshje se javën që shkoi".
Zusi tha se në këto 30 vite bujqësia dhe ushqimi në Shqipëri kanë ecur në mënyrë të pabalancuar. Ai u shpreh se kemi një sektor përpunues që ka avancuar goxha, por sektori primar ka mbetur pas dhe ka nevojë për mbështetje financiare, pasi është burimi i parë dhe më i sigurte për të ndaluar largimin e njerëzve nga vendi.



