Avokati Bilal Kola deklaroi në emisionin “Arnautistan” se ka dështuar në politikë, por nuk është pishman lidhur me këtë gjë.
Kola tha se politika në Shqipëri i duket një lojë derrash, ku nëse futesh në këtë territor bëhesh pis.
Sipas japonezëve apo mënyrës tradicionale të kultivimit të vetëpërsosjes ekziston koncepti 'ikigaia'. Unë kam patur një objektiv që doja të bëja gjëra me karakter publik. Gjëja që më ka cytur ka qenë çështja e politikës. Kam pasur gjithmonë një dëshirë të jap kontributin tim. Kam dështuar me shumë sukses në politikë. Nuk ka faj në raport me dështimin. Nuk e njoh konceptin e dështimit si diçka fataliste. Këtu e shoh politikën si mexhelis shumë të ndotur. Politika në Shqipëri kërkon një transaksion fundor, që është shitja e shpirtit. Po kam dështuar me shumë sukses në këtë iniciativë. Ndihem komod që kam dështuar sepse nuk e kam shkrepur asnjëherë gjënë fundore që të bëjë transaksione. Për mua është një hapje llogoreje në funksion të diçkaje tjetër. Nuk do më pëlqente të isha sot në politikë. Po të më thuash sot: A do të futesh në politikë? Them jo. Pas çdo dështimi në jetë ke gjithmonë mundësinë të mësosh diçka. Ka dy lloj dështimesh, dështim qëllimi, ose dështim strategjie. Kjo e imja në politikë është dështim qëllimi, nuk rrezonon me mua. Këtu është super djallëzore dhe s’ndjej asnjë pishmallik. Më ka mësuar që s’është territori im. Po u fute te loja e derrave do bëhesh pis! Mua më duket lojë derrash!”



