Kryeministri Edi Rama reagon pas kallëzimit penal në SPAK nga ana e gjyqtarëve, lidhur me ngërçin e krijuar për pagat.
Rama thotë se kallëzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave bëhet pse nuk lejon që ata të hapin derën e Thesarit për rritjen e pagave të tyre.
Ndër të tjera shton se pagat e magjistratëve rriten vetëm me vendim të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa kërkon që në kallëzim të shtohet dhe ai dhe ministri i Drejtësisë.
Ndërkohë që ministri pret me ligj e me zakon Kuvendin e Shqipërisë që të shprehet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të Drejtësisë, sepse Ministri i Financave është konsultuar paraprakisht me ne për qëndrimin e tij, për të cilin edhe skuadrat tona juridike kanë shprehur unanimisht qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit.
Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë. Kaq kisha dhe nuk dua të zgjatem me çfarë mendoj për tërë këtë historinë bajate të vetërritjes së rrogave, nga kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë. Por për sa më takon asgjë nuk ndryshon, pagat do të rriten me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pas ngërçit të krijuar për bllokimin e pagave, paraditen e sotme gjyqtarët bënë kallëzim në SPAK.
Të kallëzuar janë ministri i Financave Petrit Malaj, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Gentian Këri, Përgjegjësi i Degës së Thesarit Tiranë, Vlorë, Lezhë, Kukës, Korçë, Shkodër, Berat, Elbasan, Dibër, Sarandë, Lushnjë, Fier, Gjirokastër dhe Durrës.
Kallëzimi ndaj tyre bëhet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “Mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.



