Një valë protestash dhe bojkoti ka përfshirë sot administratën gjyqësore në rrethin e Fierit dhe Lushnjës.
Gjatë mëngjesit të sotëm, sekretariati dhe stafi mbështetës i Gjykatës së Fierit kanë bllokuar punën, duke shkaktuar pezullimin e pjesës më të madhe të seancave dhe duke njoftuar se do të trajtohen vetëm çështjet me karakter urgjent.
Paralelisht, një situatë e ngjashme është regjistruar edhe në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë, ku rreth 35 punonjës të administratës kanë bojkotuar detyrën për dy orë.
Sipas punonjësve të të dyja gjykatave, shkak për këtë reagim ekstrem është bërë moskalimi i pagave të muajit gusht, afati i fundit i të cilave ishte data 3 shtator 2026.
Burime nga terreni bëjnë me dije se këto vonesa në llogaritë bankare të administratës kanë ardhur si pasojë e procedurave që po ndiqen për shqyrtimin dhe kalkulimin e rritjes së pagave të vetë gjyqtarëve.
Kjo periudhë tranzitore ka sjellë ngrirjen e përkohshme të fondeve edhe për pjesën tjetër të stafit mbështetës. Ndonëse në Lushnjë bllokimi i punës zgjati vetëm dy orë gjatë ditës së sotme, punonjësit dhe sekretaret gjyqësore kanë lëshuar një ultimatum të prerë.
Ata paralajmërojnë se nëse pagat nuk kalojnë menjëherë në llogaritë e tyre, protesta dhe bojkoti do të përsëriten në mënyrë të përshkallëzuar edhe në ditët në vijim, duke kërcënuar me paralizë totale të sistemit të drejtësisë në këto rrethe.



