Pas kryeqytetit të rinisë dhe të sportit, Tirana mund të quhet dhe kryeqyteti i muraleve. Ato janë shtrirë si në qendër ashtu dhe në lagjet e reja të kryeqytetit.
Megjithëse plot ngjyra dhe dritë, mesazhi që përcjellin shpesh mbetet i paqartë.
Në morinë e muraleve, gjen edhe të veçanta. Murale që reklamojnë aktivitetin e bizneseve private, apo murale të realizuara në pallate në ndërtim e sipër.
Në një intervistë për emisionin Xhadat skenografi Bashkim Zahaj tha se shumica e muraleve në Tiranë , nuk përmbushin kushtet standarde dhe duhet të fshihen.
Shembullin e Tiranës për pikturat murale e kanë ndjekur edhe disa bashki të tjera. Në bashkinë Kolonjë është pikturuar një murale që si tematikë ka dhunën ndaj grave. Në bashkinë Patos dhe Korçë po ashtu në disa pallate janë pikturuar murale. Ndërsa në Bashkinë Dimal më e rëndësishme se rregullimi i fasadës së pallatit të cilës i kanë rënë tullat duket se ka qenë ndërtimi i murales.
Xhadat pyeti gjithashtu Bashkinë Tiranë lidhur me numrin e muraleve dhe sa kanë kushtuar ato. Nga informacioni që morën rezulton se 20 prej tyre, të ndërtuara në Tiranë, janë realizuar në kuadër të Mural Fest.
Sa i takon financimit, bashkia është shprehur se realizimin e tyre kanë financuar ambasada apo institucione të pavarura dhe nga ana e saj nuk është alokuar asnjë fond.



