
Gazetari Klodian Tomorri foli për MCN Live lidhur me auditimin teknik të ndërtesave mbi 50-vjeçare, duke theksuar se projektvendimi ka hije dyshimi.
Tomorri vuri në dukje se i jepet atribut qeverisë për shembjen e godinave, duke shtuar se projektvendimi mund të ketë për qëllim grabitjen e pronave në zonat e lakmuara për të ngritur aty kulla.
Ndër të tjera Tomorri ngriti pyetjen se kush e siguron që grupet teknike që do auditojnë ndërtesat nuk do të korruptohen nga ndërtuesit gjatë procesit.
Thonë që qëllimi nuk është direkt shembja, por kryerja e auditimit teknik. Nëse grupi teknik do konstatojë së ndërtesa nuk plotëson kushtet teknike, rrezikon shembjen, atëherë do të zgjidhet ndërtimi. Pse ka hije dyshimi ky projektvendim? Askush s’është kundër faktit që qeveria të ndërhyjë nëse rrezikohen jetë njerëzish? Problemi është se ne e dimë çfarë ndodh këtu. I jepet atribut qeverisë për shembjen e godinave dhe ne i dimë orekset e ndërtuesve në zonat e lakmuara të Tiranës, si Blloku, ku ka shumë ndërtesa të ndërtuara gjatë regjimit komunist. Projektvendimi ka paqartësi se kush është institucioni, kush do jetë ndërtuesi, si do ndërtohet godina e re. Do ta ndërtojë shteti në të njëjtën masë dhe lartësi? Apo do të hyjë në marrëdhënie me ndërtues privatë për të ngritur aty kulla më të larta, apo do të bëhet me tenderim publik? Këto shtojnë dyshimin që mund të ketë për qëllim grabitjen e pronave në zonat e lakmuara për të ngritur aty kulla.
Flitet vetëm për ato 50 vjeç plus. Por ka shumë paqartësi se çfarë ndodh pasi dilet në vendimin që X objekt duhet shembur. Nëse objekti do ndërtohet nga kompani private dhe qeveria do t’u vërë në dispozicion truallin, s’besoj se fatura do jetë problem. Ndërtuesit do kompensojnë banorët më ndonjë hyrje, dhe do kenë 30 kate të tjera për të nxjerrë para. Nëse shteti e ndërton me paratë e veta fatura mund të jetë një problem shumë i madh, pasi do kërkojë një rindërtim nr. 2. Potencialisht thuhet se janë mbi 120 mijë ndërtesa që kanë moshë më të vjetër se 50 vjeç. Nëse e marrim të mirëqenë se 50 për qind nuk i plotësojnë kushtet, do të ketë një faturë shumë më të madhe se rindërtimi.
Zona e Bllokut mbetet më e lakmuara. Te pallatet Agimi apo Shallvaret, janë godina që janë ndërtuar nga vitet 50-60 dhe janë zonë shumë e lakmuar për ndërtim kullash. Për sa kohë nuk kemi të qartë mekanizmin mbi procesin kemi të drejtë të kemi dyshime. Ta marrim të mirëqenë se qeveria është nisur me qëllimin e mirë për të shpëtuar jetë njerëzish. Kush e garanton publikun se grupet e auditimit s’do korruptohen në proces?! Kush e garanton publikun që ato grupet teknike s’do korruptohen nga ndërtuesit dhe të marrin vendimin që të shemben godina dhe pastaj të hapet trualli për të ndërtuar kulla të reja. Risku është më i madh se në procesin e Rindërtimit, dhe shtegu për abuzime është edhe më masiv. Përgjegjësi kryesor për kaosin në Tiranë, është qeveria dhe organet ligjzbatuese. Ne kemi raste kur është marrë leja për një pallat me 10 kate dhe ka përfunduar me 20 kate. Ne nuk e dimë nëse këto shtesa e bëjnë godinën të rrezikuar apo jo.
Një projektligj i tillë hidhet për diskutim më pak se 3 muaj para zgjedhjeve lokale. Është një vendim me ndjeshmëri të lartë publike. Pasi shumë prej familjeve që jetojnë në godinat mbi 50 vjeç janë të alarmuara se çfarë do ndodhë me banesat e tyre. Ka qenë një mosllogaritje e mazhorancës për efektet elektorale apo thjesht ka qenë proces i caktuar me kohë dhe s’i është kushtuar vëmendje se çfarë efektesh elektorale do kishte?!”



