Biznesmeni Sokol Dyla i cili ushtron aktivitetin minerar në zonën e Krujës denoncoi në emisionin Xhadat pezullimin e aktivitetit për të cilin disponon lejet përkatëse si dhe paguan rregullisht taksat. Dyla deklaroi se ishte pajisur me të gjitha lejet për ushtrimin e aktivitetit në vendin e quajtur Mila Baçe. Por Drejtoria e Shërbimit Pyjor Krujë dhe Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura përmes shkresave zyrtare pengon z.Dyla të ushtrojë aktivitetin duke i thënë se po punon në zonën e Shkëmbit të Vajës, zonë e mbrojtur.
Me të njëjtin pretendim në vitin 2017 Drejtoria e Shërbimit Pyjor dhe ADZM Durrës, e kanë dërguar çështjen edhe në prokurori. Në shkurt të vitit 2018 Prokuroria e Krujës ka vendosur pushimin e çështjes. Ky vendim u ankimua në Gjykatën e Shkallës së Parë Krujë ku edhe kjo e fundit vendosi gjithashtu ne vitin 2019 pushimin e çështjes. Në shkurt te këtij viti AKZM Durrës i dërgon një shkresë z. Sokol Dyla ku i kërkon largimin sa më parë të mjeteve të punës pasi është në kundërshtim me ligjin.
Xhadat kërkuan informacion nga administrata e zonave të mbrojtura Durrës. Përgjegjësi i menaxhimit pranë këtij institucioni u shpreh se zona ku ushtron aktivitetin subjekti Hajdeg është zonë e mbrojtur që prej vitit 2002.
Xhadat u interesuan edhe tek Bashkia Krujë lidhur me shkresën që Ministria e Mjedisit në vitin 2016 i ka dërguar këtij institucioni ku thotë se zona ku ushtron aktivitetin kompania e z.Dyla nuk është zonë e mbrojtur. Në lidhje me rastin Bashkia Krujë nuk pranoi te jap një përgjigje pa i dërguar më parë një kërkesë me shkrim.



