
Një vajzë 16-vjeçare humbi jetën si pasojë e sulmit nga një peshkaqen teksa po notonte me delfinët në një lumë në Australinë Perëndimore.
Vajza u kafshua nga një specie e panjohur peshkaqeni në lumin Swan në periferi të Perth të North Fremantle, sipas një deklarate të autoriteteve vendase.
Ajo u nxor nga uji, por u deklarua e vdekur në vendngjarje pasi të gjitha përpjekjet për ta mbajtur në jetë dështuan, tha Inspektori i Policisë së Qarkut Fremantle, Paul Robinson.
Policia beson se viktima ishte me miqtë e saj pasditen e së shtunës kur u hodh nga një mjet lundrues për të notuar me një grup delfinësh në lumë, kur dhe ndodhi sulmi i peshkaqenit.
Sulmi i fundit fatal i peshkaqenit në ujërat e Australisë Perëndimore ishte në nëntor 2021, kur një 57-vjeçar u vra nga një peshkaqen i bardhë në Port Beach të Perthit.
Një burrë u plagos rëndë nga një peshkaqen dem ndërsa po notonte në lumin Swan në janar 2021. Më shumë se 100 lloje peshkaqenësh jetojnë në ujërat e Australisë Perëndimore.
Në bregun lindor, disa plazhe të Sidneit, duke përfshirë Bondi dhe Bronte, u mbyllën shkurtin e kaluar pasi një person që notonte u vra në një sulm peshkaqeni, ngjarja e parë me pasojë vdekjen në plazhet e qytetit në gati 60 vjet.
Australia renditet pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për numrin e sulmeve të paprovokuara të peshkaqenëve te njerëzit në vitin 2021, sipas Dosjes Ndërkombëtare të Sulmit të Peshkaqenëve të Universitetit të Floridës.



