Policia e Krujës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Implikimi”, i cili ka çuar në pranga 40-vjeçarin A.Gj, me precedentë të mëparshëm penalë, pasi në hotelin në pronësi të tij në Krujë u gjetën sende të kundërligjshme dhe para të dyshuara nga aktivitete kriminale.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrolleve në këto ambiente u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), 1 krehër me 20 fishekë luftarakë, 1 jelek antiplumb dhe 20 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtari të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u krye arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit dhe sekuestrimi i sendeve të kundërligjshme që posedonte ai.
Policia po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të këtij shtetasi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



