
Një shqiptar është vënë në pranga e policisë italiane, pasi zbulimit të 60 kilogramëve kokainë të fshehura në një kontejnier me banane në portin e Ligurias.
Kontejneri, i cili mbërriti në Vado Ligure në bordin e anijes M/n “Victoria L”, i ardhur nga Ekuadori me një ngarkesë banane, u identifikua nga zyrtarë doganorë, gjatë monitorimit të flukseve të tregtisë detare që përfshijnë qendrat portuale të Savona dhe Vado Ligure.
Ngarkesa e drogës u gjet pas kontrollit të imtësishëm të kontejnerit dhe hetimet e menjëhershme të kryera nga Njësia e Policisë Ekonomiko-Financiare Savona dhe Grupi Savona i Guardia di Finanza, bënë të mundur arrestimin e një shtetasi shqiptar, i cili hyri fshehurazi në zonën e portit të Vado Ligure dhe u kap duke u përplasur me kontejnerin e dyshimtë me qëllimin për të rikuperuar drogën e fshehur.
Shqiptari një 37-vjeçar, banues në Milano, u arrestua menjëherë nga policia nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës, për t’u dërguar në burgun Marassi.
Droga, rreth 60 kilogramë kokainë, e ndarë në 50 paketime, u sekuestrua dhe u vendos në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Në momentin e arrestimit, shqiptari dispononte një armë zjarri me 13 fishekë, e cila rezultoi e vjedhur, një radiomarrëse dhe mjete të tjera të përshtatshme për hapjen me forcë të kontejnerit. Aktualisht vijojnë hetimet për identifikimin e marrësve të ngarkesës gjigante të drogës, e cila nëse do të shitej në tregun e pakicës, do të siguronte një fitim mbi 5 milionë euro.



