Avokati Gentian Trenova, për ngërçin e krijuar në gjykata pas bojkotit të punës nga administrata në pritje të kalimit të pagave, thotë se gjithçka vjen prej neglizhencës së Parlamentit dhe qeverisë dhe mungesës së vullnetit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Duke folur për edicionin e lajmeve në MCN TV, ai deklaroi se, duket më tepër si një tekë personale dhe inat personal i Kryeministrit me gjyqësorin, për të cilët thotë se mendon se nuk mund të ngrënë krye ndaj tij dhe të padisin qeverinë.
Sipas tij, këmbëngulja e qeverisë për mos zbatimin e vendimit të gjykatës, tregon se qeveria zbaton ato vendime gjykate që i pëlqejnë dhe kur nuk i pëlqejnë, bën bisht për mos t’i zbatuar.
Shoqata e gjyqtarëve ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese interpretimin e ligjit për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Kushtetuesja iu ka dhënë të drejtë, duke i kërkuar Parlamentit një rillogaritje të pagave, ndërsa nga ana e Parlamentit nuk është bërë asnjë veprim për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo gjë ka detyruar që Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë që drejtojnë gjykatat dhe prokurorinë, të rillogarisin vetë pagat, sipas formulës së re të miratuar nga Gjykata Kushtetuese dhe sipas llogaritjes së re ia kanë dërguar Ministrisë së Financave që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndoshta Ministria e Financave ndodhet në një situatë të paparashikuar, pasi nuk mund të ndryshojnë buxhetin lidhur me pagat. Këtu jemi në një ngërç ligjor, për shkak të neglizhencës së Parlamentit dhe qeverisë. Duket se nga qeveria ka mungesë vullneti për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri sulmoi keq gjykatën dhe prokurorinë, pasi sipas tij marrin paga të larta dhe nuk mund të pretendojnë paga më të larta. Përplasja mes gjyqësorit dhe prokurorisë, apo këmbëngulja e qeverisë për mos zbatimin e vendimit të gjykatës, tregon se qeveria zbaton ato vendime gjykate që i pëlqejnë dhe kur nuk i pëlqejnë, bën bishta për mos t’i zbatuar.
Ky konflikt tregon mungesën e vullnetit politik për të drejtuar një shtet bazuar në parimet e shtetit të së drejtës. Gjykata Kushtetuese është e qartë që ekzekutivi të ndërmarrë procedurat e duhura për rregullimin e rillogaritjes së pagave.



