
Një ngatërresë mbiemri në raportimin e lajmit për disa arrestime të kryera në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Fierit ka detyruar një qytetar t’i drejtohet Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Rasti lidhet me arrestimin e dy ish-drejtuesve të Kadastrës së Qarkut të Fierit, por edhe të biznesmenit Kastriot Hasko, të akuzuar si të përfshirë në tjetërsimin e 11 mijë hektarëve tokë në Seman.
Në disa media, mbiemri Hasko është raportuar fillimisht si Haskaj, gjë që e ka detyruar Kastriot Haskajn t’i drejtohet AMA-s, me ankesën për cenim të padrejtë të reputacionit.
“Personi për të cilin bëhet fjalë në këtë çështje është Kastriot Hasko dhe jo Kastriot Haskaj. Megjithatë, në orët e para të publikimit të lajmit, emri im është përdorur si personi i arrestuar dhe është lidhur drejtpërdrejt me aktivitetin tim profesional dhe me markën “Moncafe’”, sqaron Haskaj.
Haskaj shprehet më tej se disa prej këtyre publikimeve kanë përdorur edhe fotografi të hotelit në pronësi të tij, për të ilustruar lajmin.
Për referencë, më poshtë po ju vendos lidhjet direkte të publikimeve, së bashku me oraret e shfaqura në faqet e mediave:
• ZËRI – 16 Shtator 2026, ora 21:12
• Ora Neës – 16 Shtator 2026, ora 21:36
• Versus – 16 Shtator 2026, ora 21:40
• Piranjat – 16 Shtator 2026, ora 22:15
• LajmiFundit – 16 Shtator 2026, ora 22:22
• AlfaPress – 16 Shtator 2026, ora 22:55
Haskaj thekson se përtej ngatërresës së emrit, publikimi i një informacioni të tillë të rremë prek edhe angazhimet e tij institucionale.

Theksoj se ky nuk mund të konsiderohet thjesht një ngatërresë emrash. Bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm, me mbiemra, identitete dhe të dhëna personale të ndryshme. Për pasojë, publikimi i emrit tim në një ngjarje penale me të cilën nuk kam asnjë lidhje ka sjellë një cenim serioz të emrit, reputacionit dhe figurës time publike e profesionale. Gjithashtu, dua të sqaroj se hoteli, fotografitë e të cilit janë përdorur në disa prej publikimeve, është në pronësinë time, por aktualisht administrohet nga një palë tjetër. Po ashtu, “Moncafe’” është një markë kafeje e tregtuar nga shoqëria Indrit SHPK, në të cilën jam bashkëpronar. Indrit Sh.p.k. është distributori i “Moncafe” në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.
Haskaj i kërkon AMA-s të verifikojë publikimet dhe të marrë masat ndaj subjekteve që kanë raportuar në mënyrë të pasaktë.
Lajmi lidhet me arrestimin e dy shtetasve: Ertis Shehu, Bardh Kapaj në cilësinë e drejtorëve të ASHK, P. Ç., specialistit, jurist, pranë ASHK dhe biznesmeni Kastriot Hasko, përfituesi i pronave nën akuzë për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.



