Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga policia e Tiranës për të mos lejuar depërtimin e fenomeneve kriminale, në afërsi të shkollave, u evidentua se në dy lokale në afërsi të shkollave organizoheshin dhe viheshin ilegalisht baste sportive, nëpërmjet celularëve.
Për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit Denis Gjoka, 24 vjeç, dhe Kastriot Çuka, 48 vjeç, si dhe nisi procedimi penal për shtetasin I. M., 54 vjeç, dhe një 17-vjeçar.
Në njërin prej lokaleve, të administruar nga shtetasi K. Ç., 48 vjeç, u kap në flagrancë duke vënë baste sportive shtetasi D. Gj., 24 vjeç, ndërsa në të njëjtin lokal ndodhej edhe shtetasi I. M., 54 vjeç, i përfshirë në këtë veprimtari.
Ndërsa në lokalin tjetër u konstatua një 17-vjeçar, i punësuar në këtë subjekt, i cili kryente veprimtarinë e vënies së basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 celularë me faqe aktive për vënien e basteve sportive.
Angazhimi për zbatimin e planit të posaçëm të masave për sigurinë e nxënësve vijon intensivisht.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



