Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Risena Xhaja, raportoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale të Kuvendit të Shqipërisë, mbi rezultatet e veprimtarisë së Agjencisë, administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, ripërdorimin social, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe prioritetet në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Ajo deklaroi se nga rreth 79 milionë lekë të ardhura të Agjencisë në vitin 2023, të ardhurat vetëm nga qiratë arritën rreth 160 milionë lekë në vitin 2024 dhe 221 milionë lekë në vitin 2025.
Sipas saj, për periudhën janar-gusht 2026, nga qiratë janë siguruar rreth 180 milionë lekë.
Kryeadministratorja theksoi se të ardhurat e krijuara nga administrimi i pasurive nuk kanë vetëm një dimension financiar.
Ato kalojnë në Fondin e Posaçëm, i cili përdoret për mbështetjen e institucioneve ligjzbatuese dhe strukturave që luftojnë krimin e organizuar, si dhe të organizatave që punojnë me kategoritë vulnerabël, viktimat e krimit, trafikimit dhe dhunës.
Një vëmendje e veçantë gjatë raportimit iu kushtua ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara, në kuadër edhe të angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Objektivi është orientimi i të paktën 50% të pasurive të konfiskuara drejt ripërdorimit, përfshirë atë social.
Vetëm gjatë vitit 2026 janë destinuar për institucione 1.39 milionë euro dhe 21.5 milionë lekë, 11 pasuri të paluajtshme, 50 pasuri të luajtshme, 336 prova materiale dhe 491 armë për Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, për organizatat jofitimprurëse janë destinuar 150 mijë euro dhe tre pasuri të paluajtshme.
Përmes një thirrjeje të Fondit të Posaçëm janë mbështetur 22 organizata që punojnë me viktimat e trafikimit, parandalimin e kriminalitetit dhe përdorimit të drogës, dhunën në familje dhe në shkolla, bullizmin dhe problematika të tjera sociale.
Në raportim u bë e ditur se AAPSK ka aktualisht në administrim 2665 pasuri të sekuestruara, me vlerë rreth 28.5 miliardë lekë, 516 pasuri të konfiskuara, me vlerë rreth 6.8 miliardë lekë, si dhe 774 prova materiale, me vlerë rreth 1.2 miliardë lekë.
Vetëm gjatë vitit 2026 janë kryer 1175 sekuestrime pasurish, 84 konfiskime dhe 181 revokime. Rritja e volumit të pasurive në administrim lidhet edhe me intensifikimin e veprimtarisë së institucioneve ligjzbatuese dhe rezultatet e SPAK-ut në identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale.
Kryeadministratorja u ndal gjithashtu te forcimi i bashkëpunimit me prokuroritë, gjykatat, Policinë e Shtetit, BKH-në dhe strukturat e tjera ligjzbatuese, i cili ka ndihmuar në shkurtimin e kohës së ekzekutimit të vendimeve dhe marrjen më të shpejtë në administrim të pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara.



