Dy ish-drejtorët e Kadastrës Fier tjetërsuan 11 mijë hektarë tokë në favor të biznesmenit Hasko/ Vihen në pranga

Dy ish-drejtorët e Kadastrës Fier tjetërsuan 11 mijë hektarë tokë në favor të biznesmenit Hasko/ Vihen në pranga

Prokuroria e Fierit del me deklaratë lidhur me arrestimin e dy ish-drejtuesve të Kadastrës së këtij qarku, por edhe të biznesmenit Kastriot Hasko, të akuzuar si të përfshirë në tjetërsimin e 11 mijë hektarëve tokë në Seman.

 

Konkretisht me kërkesë të Prokurorisë Fier u vendos masa e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj katër shtetasve Ertis Shehu, Bardh Kapaj në cilësinë e drejtorëve të ASHK, P. Ç., specialistit, jurist, pranë ASHK dhe biznesmeni Kastriot Hasko, përfituesi i pronave nën akuzë për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Shpërdorimi i detyrës” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

 

Po kështu, në kuadër të hetimeve u sekuestruan mbi 76 pasuri, me sipërfaqe totale prej 1143 hektarë tokë, si dhe 150.000 euro.

 

Prokuroria Fier gjatë hetimeve të deritanishme për procedimin penal nr. 1026 të vitit 2025, kryer në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e Policisë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nëpërmjet përdorimit edhe të metodave proaktive, arriti të provojë se:

 

Kastriot Hasko, duke paraqitur si tituj pronësie dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier, ka arritur të regjistrojë në bashkëpronësi të tij dhe katër personave të tjerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke prej 1,143 hektarë si dhe 150.000 Euro të ndodhur në zonat kadastrale 3301 dhe 3358, Seman i Ri dhe Sheq Marinas, Fier.

 

Më pas, duke u paraqitur me cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit edhe të bashkëpronarëve të tjerë, me anë të një prokure të posaçme të falsifikuar, u ka shitur këtë tokë dy shoqërive të ndryshme.

 

Ertis Shehu dhe Bardh Kapaj, në cilësinë e drejtorëve të ASHK, Fier, dhe shtetasi P.Ç., në cilësinë e specialistit, jurist, pranë ASHK, Fier, kanë regjistruar pasuritë në fjalë në bashkëpronësi të shtetasit Kastriot Hasko, në kundërshtim me ligjin nr. 111/2018, “Për kadastrën”, dhe ligjin nr. 20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe VKM nr. 639, datë 16.10.2024, dhe Udhëzimin e Këshillit të Ministrave nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit”, duke mos kërkuar sipas këtyre akteve ligjore/nënligjore konfirmimin e vendimeve të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Fier nga Agjencia e Trajtimit të Pronës, verifikim nga i cili do të rezultonte se këto vendime janë të falsifikuara.

 

Për më tepër, ka rezultuar se Bardh Kapaj, ish drejtor i ASHK, Fier, kur ka regjistruar pasurinë, ka tejkaluar edhe sipërfaqen që sipas vendimit të falsifikuar nr. 8*, datë 20.01.1997, të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pranë Këshillit të Rrethit Fier, i ishte kthyer ish-pronarit Th.S., duke përfituar për rrjedhojë shtetasi K.H. edhe një sipërfaqe tjetër të konsiderueshme toke në pronësi.

 

Gjithashtu, shtetasit Ertis Shehu e P.Ç. gjatë regjistrimit të pasurive kanë ndryshuar zërin kadastral të sipërfaqes së regjistruar në pronësi të shtetasve Kastriot Hasko, etj., nga tokë arë në tokë pa frut, pa një akt administrativ nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Bujqësisë apo Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy