Pamjet e publikuara sot tregojnë momentet e para të konfliktit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen nr. 1 të Sarandës, pranë hyrjes së shëtitores.
Një debat mes disa të rinjve përshkallëzohet me shpejtësi në përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e mjeteve prerëse.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:55, në një subjekt tregtar në lagjen nr. 1 të Sarandës, pranë hyrjes për në shëtitoren e qytetit.
Nga ngjarja u raportuan fillimisht tre të plagosur: vëllezërit Elidon dhe Mario Shukulli, si dhe Andi Saliaj. Të dëmtuarit u dërguan në Spitalin e Sarandës, ndërsa Elidon Shukulli u transportua drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Policia njoftoi më pas arrestimin e tre personave të dyshuar, Kamelo Aliajt, Andi Saliajt dhe Eduard Bajramit.
Sipas të dhënave paraprake, konflikti dyshohet se nisi për motive të dobëta.
Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale "Plagosja e rëndë me dashje", e kryer në bashkëpunim, dhe "Prishja e qetësisë publike".
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit person të përfshirë.



