
“Informacioni” u kodua një operacion i policisë së Durrësit, gjatë të cilit u vu në pranga një person i cili lëvizte i armatosur.
Bazuar në informacionet e marra se një 30-vjeçar mbante armë zjarri dhe qarkullonte i armatosur, uniformat blu organizuan operacionin gjatë të cilit u prangos për veprën penale “Prodhimi, mbajtja apo shitja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, Haki Koka, 30 vjeç, banues në Durrës.
Koka u kap në flagrancë në një apartament të marrë me qira në lagjen nr. 11, Durrës, në kohën kur kishte hyrë në banesë dhe, gjatë kontrollit, në brendësi të çantës marsup të tij iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak.
Në apartament, së bashku me të, ndodhej dhe shtetasja K. Sh., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.



