
Një 52-vjeçar nga Selenica ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se i ka vënë zjarrin një hapësire toke, në mënyrë të qëllimshme, me synimin për të hapur kullota të reja.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin me iniciale N. B., 52 vjeç, banues në fshatin Kropisht.
Sipas të dhënave zyrtare, ky shtetas dyshohet se është shkaktari i drejtpërdrejtë i zjarrit të rënë në këtë zonë.
Flakët, të favorizuara nga kushtet atmosferike, u përhapën me shpejtësi duke djegur një sipërfaqe të madhe me shkurre, dëllinja dhe pemë, si dhe duke u afruar rrezikshëm pranë zonës së banuar
Ndërhyrja e menjëhershme e forcave zjarrfikëse dhe shërbimeve të policisë bëri të mundur izolimin e vatrës dhe vënien e situatës nën kontroll, duke shmangur dëmtimin e banesave.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore, nën akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr.



