
Sasi të konsiderueshme peshku dhe mishi kontrabandë janë kapur gjatë kontrolleve në doganën e Kakavijës në dy autobusë që vinin nga Athina.
Sipas policisë, gjatë kontrollit të autobusit të linjës Athinë-Gjirokastër, me drejtues shtetasin A.B., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, u gjetën dhe u sekuestruan 685 kilogramë mish viçi, të prerë në formë bërxollash.
Drejtuesi i autobusit u arrestua në flagrancë.
Ndërkohë, edhe gjatë kontrollit të autobusit të linjës Athinë-Shkodër, me drejtues shtetasin D.M., 46 vjeç, banues në Elbasan, u gjetën katër kuti kartoni, brenda të cilave kishte një sasi prej 82 kilogramësh e 900 gramësh peshk, e cila dyshohet se ishte futur kontrabandë në territorin shqiptar.
Drejtuesi i mjetit po ndiqet në gjendje të lirë, ndërsa sasitë e mishit dhe peshkut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.



