Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:10, në fshatin Urakë, në Mat, ku persona ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Audi”, në pronësi të shtetases S. Ll. (bashkëshortja e shtetasit A. Ll.), i parkuar në oborrin e banesës.
Sipas njoftimit të policisë, nga të shtënat janë shkaktuar dëmtime materiale vetëm në automjetin tip “Audi”, ndërsa gjatë kontrollit të territorit, rreth 2 kilometra larg nga vendi i ngjarjes, në aksin rrugor Rrëshen-Burrel, është konstatuar i djegur një automjet tip “Golf V”. Gjatë këqyrjes së automjetit, në brendësi të tij janë gjetur dy armë zjarri kallashnikov, të djegura pjesërisht, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Nga verifikimet e kryera rezulton se automjeti tip “Golf”, i konstatuar i djegur, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit më datë 31.07.2025, pasi kishte bërë kallëzim pronari i tij, shtetasi K. R., banues në Përrenjas, se i kishin vjedhur këtë automjet.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet në zonën ku mund të kenë lëvizur autorët e dyshuar dhe po bashkëpunohet me Policinë e Tiranës, Lezhës dhe Kukësit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon intensivisht veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, sigurimin e provave që do të çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.



