Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka mandatuar Albin Kurtin për të formuar qeverinë e re.
Me anë të një postimi në Facebook, Haxhiu thotë se vendimi është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Haxhiu i ka uruar Kurtit sukses në ushtrimin e përgjegjësive të tij, duke theksuar nevojën për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.
Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje, kam caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Z. Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.



