Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë sot në orën 10:00 seancën konstituive. Në rendin e ditës është pika e katërt, zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit. Me përfundimin e këtij procesi, do të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit.
Në seancën e së premtes nuk u votua kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për nënkryetar të Kuvendit. Pas kësaj, PDK-ja së bashku me Aleancën kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës, ndërsa kanë bërë të ditur se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Po këtë ditë, vazhdimi i seancës konstituive u ndërpre dy herë, herën e parë u ndërpre pasi PDK-ja lëshoi sallën meqë VV-ja nuk votoi Vlora Çitaku për nënkryetare, ndërsa PDK-ja e votoi Ardian Golën e VV-së. Hamza më pas deklaroi se nuk kanë më arsye të marrin pjesë në asnjë seancë dhe paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se kanë nevojë për takim sqarues me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në mënyrë që të diskutohet se cili kandidat i PDK-së mund të propozohet për nënkryetar të Kuvendit.



