
Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, u bëri thirrje partive politike dhe deputetëve për zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“Jemi kaq afër zgjidhjes sa do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur prapë në të njëjtën pikë. Le t’i japim vendit institucionet në përputhje me vullnetin qytetar”, tha Kurti.
Ai përmendi marrëveshjen VV-LDK për presidentin dhe tha se disa deputetë të LDK-së nuk po e zbatojnë. Sipas tij, kompromisi është i mundur, siç u dëshmua me konstituimin e Kuvendit.
“Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit patëm dy palë zgjedhje të paarsyeshme e të kushtueshme. 10 muaj bllokadë për të shkuar në zgjedhje në dhjetor 2025 dhe një barrikadë tjetër për në qershor. Sërish qytetarët folën qartë. Sot kemi Kuvend të konstituuar dhe Qeveri të zgjedhur”, tha Kurti.
Të dielën, kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu shpalli Kuvendin të konstituuar pa zgjedhur nënkryetarin nga PDK, pasi kjo parti bojkotoi seancën në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Më pas u votua Qeveria Kurti 4.
PDK e ka dërguar në Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e konstituimit të Kuvendit dhe ka paralajmëruar se do të dërgojë edhe një tjetër për zgjedhjen e Qeverisë.



