Prej orës 11:00 mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është zgjedhja e pesë nënkryetarëve, proces që dështoi të mërkurën.
Atë ditë, kryetare e Kuvendit u zgjodh Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes.
Pas dështimit, kryetari i VV-së Albin Kurti tha se do të kërkojë marrëveshje me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, dhe të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për zgjedhjen e nënkryetarëve dhe formimin e shpejtë të Qeverisë, gjë e cila nuk ka ndodhur.
Me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve, Kuvendi konsiderohet i konstituuar.
Afati kushtetues për këtë proces, sipas aktgjykimit të 25 qershorit 2025, ishte 7 gushti, por seancat po vazhdojnë përtej tij.
Kurti më herët ka kërkuar kohë shtesë për çështjen e presidentit. Kurti dhe Abdixhiku janë dakorduar për emrin e Bekim Sejdiut, por marrëveshja nuk siguron kuorumin prej 80 votash, pasi 6 deputetë të LDK-së janë kundër.
Të mërkurën, kryeparlamentarja Haxhiu dha dy arsye për moskonstituimin: propozimin e Listës Serbe “në emër të popullit serb”, që sipas saj është jokushtetues, dhe mungesën e votave për kandidatët e PDK-së e LDK-së, edhe pse emrat nuk u hodhën fare në votim.
Termi “populli serb” ishte përdorur nga Lista Serbe edhe në vitin 2021 dhe asokohe ishte votuar nga Vetëvendosja.



