Sot në Kosovë do të vijojë seanca konstituive për legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës.
Seanca e sotme është vazhdim i seancës së nisur më 6 gusht.
Ajo ishte ndërprerë dy herë me kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për më shumë kohë për një marrëveshje politike për presidentin.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë paralajmëruar se do të jenë prezente në sallën e Kuvendit. Ndërsa Aleanca ka njoftuar se nuk do të jetë prezente.
Lëvizja Vetëvendosje pritet ta nominojë Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit.
Ndërkohë, kandidate për nënkryetare nga PDK-ja do të jetë Vlora Çitaku, ndërsa LDK-ja ende nuk e ka zyrtarizuar, pasi këto dy parti kanë paralajmëruar pjesëmarrjen në seancë.
Për t’u përmbyllur konstituimi i legjislaturës së 11-të duhet të zgjidhen kryetari i ri dhe 5 nënkryetarët.
Bërja e Kuvendit të ri i hap rrugë formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri.
Partia fituese, LVV, i ka votat për Kuvendin dhe qeverinë e re, por jo edhe për presidentin e ri.
Zgjedhja e presidentit ka qenë në qendër të krizës politike këtë vit dhe mund të shkaktojë sërish zgjedhje të reja.



